Reformat drejt BE-së, Zaev: Kuvendi të zhbllokojë Ligjin e mediave; Gjorçev kërcënon Ademin: mos e prekni muzeun e VMRO-së


Duke folur për reformat që po ndërmerren para hapjes së bisedimeve me BE-në, kryeministri, Zoran Zaev, në seancën e sotme të pyetjeve të deputetëve ftoi kuvendin që të zhbllokojë Ligjin për media si dhe Ligjin për Agjencinë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele.
Zaev tha se në drejtim të procesit eurointegrues të rëndësishme janë reformat në administratë si dhe gjyqësor.
“Apeloj që sa më shpejtë këto ligje të zhbllokohen, pasi që vetë ligjet parashikojnë vendimmarrje me dy të tretat e votave, këshillin programor, drejtorin e kështu me radhe. Kjo jep garanci se nëpërmjet ligjeve, vendimeve të përbashkëta në kuvend, këto institucione do të jenë maksimalisht të pavarura dhe plotësisht do t’u shërbejnë interesave të qytetarëve”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Midis tjerash, në pyetjet e deputetëve Zaev foli edhe për përkushtimin e qeverisë për luftimin e korrupsionit, rritjen e sigurisë dhe standardin e qytetarëve.
Nuk munguan as përplasjet e deputetëve të VMRO-DPMNE-së me pushtetin. Deputeti Gjorçev kërcënoi ministrin e kulturës, Asaf Ademin, që mos të prekë muzeun e VMRO-së, pas paralajmërimeve për riemërim të muzeut, pasi do të ketë pasoja.
“Zotëri Asaf Ademi, mos prekni në atë që është me rëndësi për popullin maqedonas! Ju jeni shqiptar, ne i respektojmë shqiptarët, mos bëni diçka që do të prek në atë që është me rëndësi për ne! Zotëri Asaf Ademi, mos u fshihni pas komisionit! Nëse atje bëhet dëmi, atëherë do të ketë përgjegjësi, dëmshpërblim dhe konfiskim, mos prekni në marrëdhëniet ndëretnike”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vlladimir Gjorçev.
Reagoi ministri i kulturës, Asaf Ademi, se muzeu vetëm se do të riemërohet dhe vendimin do ta sjellë ai si ministër i kulturës e jo si shqiptar, në bashkëpunim me grupin e punës, të përbërë nga ekspertë të kulturës dhe historisë.
“Nuk do të mbyllet muzeu i VMRO-së, por do të riemërohet në Muze të Betejës Maqedonase për Shtetësi dhe Pavarësi. Atje janë konstatuar shumë shkelje: në zbatimin e Ligjit për buxhet, Ligjit për veprimtari të muzeut dhe Ligjit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Grupin e punës e përbëjnë ekspertë eminentë dhe të gjithë janë maqedonas. Këtë vendim nuk do ta sjellë si ministër shqiptar, por si ministër i kulturës së RM-së”,- tha ministri i kulturës, Asaf Ademi.
Kryeministri Zaev premtoi se do të ketë inspektime në Strugë pas paralajmërimeve të Aleancës për Shqiptarët për veprime tendencioze të Inspektoratit të Arsimit në një universitet në këtë qytet.
Në pyetjen e Lëvizjes Besa për hapjen e kopshteve në vende rurale, u tha se për t’u realizuar një kërkesë e tillë fillimisht do të duhet të caktohen hapësirat dhe kuadrot e këtyre institucioneve.