Referendumi/ SHEHU: KSHZ-ja e përgatitur për 30 shtator

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i përgatitur të realizojë referendumin e 30 shtatorit për emrin.

Nënkryetarja e KSHZ-së Ditmire Shehu thotë se po ndjekim standardet evropiane. Shehu thekson se janë tejkaluar zbrastirat ligjore për organizimin e referendumit në ndërkohë pritet të kompletohet stafi i cili do të realizojë referendumin në teren.

“Sa i përket mundësive dhe pengesave, dua ta rikujtojë opinionin publik se KSHZ në mbledhjen e parë përpiloi rregulloren për punë në të cilën perfshihen dispozitat e kodit zgjedhor dhe të ligjit për referendum me çka me automatizëm tejkaluam pengesat e para që u paraqitën për shkak të zbrastirave ligjore ose më mirë thënë për shkak të mospërputhshmërisë të kodit zgjedhor dhe ligjit për referendum. Poashtu në mbledhjen sollëm edhe kalednarin e aktiviteteve që është më se i nevojshëm për organizimin e referendumit. Brenda kohës pritet që të bëjmë edhe kompletimit e organeve në nivele lokale dhe vendore, të bëjmë trajnimin e komisionerëve dhe përgatitjen e materialeve zgjedhore në ditën e votimit”, u shpreh nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu.

Sipas kalendarit të aktiviteteve të miratuar më 1 gusht, qytetarët do të mund që nga data 9 deri më 23 gusht të kontrollojnë të dhënat personale në listën e zgjedhësve. Nga KSHZ ftojnë qytetarët ti përgjigjen ftesës për kontroll publik.

“U bëjmë thirje në verfikimin në listën zgjedhore dhe gjithashtu e njëjta vlen edhe për diasporën. Këtu të diasporës do të duhet të dorëzojnë në mënyrën adekuate edhe fletëparaqitje për votim. Duke pasur parasysh dinamikën e paraparë konstatojmë se jemi në kohë dhe gjithçka do të realizohet në suaza të planifikimeve. Besoj të kemi një proces ligjor dhe demokratik”, tha nënkryetarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu.

Referendumi i suksesshëm garanton të ardhmen europiane të Maqedonisë, ndërkohë që po shtohet fushata për dhe kundër BE-së dhe NATO-s me pranimin e marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë. Sipas rregullores së KSHZ-së për organizimin dhe mbajtjen e referendumit, kompetente për udhëheqjen e fushatës publike është kuvendi si propozues i autorizuar i referendumit. Zyrtarisht fushata publike ka nisur më 30 korrik.