Ankesat dhe procedurat janë të miratuara vetëm për këtë referendum, të cilat nuk kanë të bëjë me procedurën e ankesave që do të vlejnë për ciklin zgjedhor cilido qoftë ai, lokal apo parlamentar.
“Për shkak se bëhet fjalë për referendum, së pari ne duhet ta shfrytëzojmë Ligjin për referendum, pastaj aty ku ka lëshime do ta plotësojmë me rregulloren nga Ligji për zgjedhje, vetëm e vetëm për t’u mundësuar qytetarëve që ta kryejnë obligimin e tyre shtetëror dhe të votojnë në ditën e referendumit, por edhe të lëshojnë ankesa nëse i kanë gjatë ditës së votimit. Numri i ankesave të cilat kanë të drejtë t’i parashtrojnë votuesit, nuk është i limituar, ata mund të parashtrojnë ankesë për aspektin e votimit, pastaj aspektin e numërimit. Ne gjithashtu i kemi edhe rregulloret e punës rreth shqyrtimit të ankesave”,– deklaroi kryetari i KShZ-së, Oliver Derkovski.
Anëtari i KShZ-së, Enver Saliji, ka pohuar dhe ka apeluar deri tek kryetarët e komunave që në ditën e mbajtjes së referendumit të mos ushtrojnë presion ndaj administratës komunale, sepse gjatë kontrollimeve të cilat janë bërë, sipas tij, janë vërejtur që disa kryetarë komunash po ushtrojnë presion ndaj këtyre anëtarëve.
“Për t’u realizuar referendumi me sukses, apelojmë deri tek të gjithë kryetarët e komunave që t’i ndihmojnë këtij procesi, t’u mundësojnë minimum kushte për punë komisioneve komunale dhe të mos kryejnë presion ndaj administratës komunale. Gjatë vizitave tona në disa komuna, kemi vërejtur se disa kryetarë të komunave po kryejnë presion ndaj administratës komunale”,– deklaroi anëtari i KShZ-së, Enver Salihi.
Kreu i KShZ-së, Derkovski, ka përgënjeshtruar pohimet se anëtarët e KShZ-së nga mandati i kaluar nuk i kanë kthyer celularët zyrtarë. Anëtarët e Komisionit për momentin janë duke i shfrytëzuar aparatet celularë personalë, por që vetëm numrat u janë ndarë nga KShZ. Nga KShZ po ashtu treguan se trajnimi i pjesëtarëve të komisioneve lokale të KShZ, të cilët janë të obliguar për mbajtjen e referendumit, do të bëhet nga data 20 deri më 25 shtator.