Referendumi i VMRO-së, Ahmeti: “Të respektohen marrëveshjet, varet ardhmëria”

Të respektohen marrëveshjet e arritura, marrëveshjet të cilat i kanë siguruar vendit tonë antarësim në NATO, dhe hapjen e negociatave për antarësim në BE dhe kthim pas nuk ka. Kështu deklaroi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti duke u përgjigjur rreth iniciativës së VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e referendumit. Në këtë drejtim sipas Ahmetit, janë respektimi i Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

“Në parim të bësh referendum kundër një marrëveshje që të ndërpresish avancimin e vendit drejt antarësimit në BE është joproduktive, kjo është baraz me regresin. Ne nuk kemi nevojë të kthehemi pas, duhet të ecim para. MO, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë nuk kanë alternativë, vetëm zbatueshmëri sepse nga respektimi dhe zbatimi i këtyre marrëveshjeve varet ardhmëria e vendit, varet perspektiva evropiane e vendit. Ne kemi vija të kuqe, të rspektohen marrëveshjet e arritura. Ne duhet t’i bëjmë detyrat e shpisë dhe të respektojmë marrëveshjet e arritura” – tha Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.