Pjesa më e madhe e propozim amendamenteve për rebalancin e buxhetit për vitin 2018, që kishin të bëjnë me projektet infrastrukturore, si ndërtimi apo rekonstruimi i rrugëve dhe autostradave, nuk u pranuan nga zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi, me arsyetimin se mjetet të cilat kërkohen janë të parapara për detyrimet e pashlyera të komunave.
“Kërkojmë që të sigurohen mjete në lartësi prej 8.5 milion denarësh për ndërtimin e autostradës Trebenisht – Strugë”,- theksoi Liljana Zaturovska nga VMRO-DPMNE.
“Amendamenti nuk pranohet. Dua të potencoj se me amendamentin e propozuar kërkohet që të shkurtohen nga zëri 491, ku ne veç më i kemi rezervuar për pagesën e të gjitha detyrimeve dhe në përputhje me planin amortizues për borxhin e jashtëm të komunave. Nga ana tjetër dua të theksoj se rekontruimi apo ndërtimi i rrugëve rajonale të cilat janë të parashikuara në amendamentet vijuese janë në kuadër të NP “Rrugë dhe Rrugica”, që ka buxhet të veçantë”,- tha zëvendësministrja e financave, Shirete Elezi.
Por, për partinë opozitare VMRO-DPMNE këto sqarime janë qesharake dhe të pakuptimta.
“Qesharake më duken sqarimet e zëvendësministres se nuk mund të bëhen ndryshime të zërave të cilat veç më i keni rezervuar për pagesa apo për rialokim të mjeteve buxhetore në komuna. Ju lutem më mos u arsyetoni me këtë për shkak se është me të vërtetë qesharake”,- tha deputetja e VMRO-DPMNE-së, Liljana Zaturovska.
Gjatë debatit u pranua amendamenti i parashtruar për ndarje të mjeteve për asfaltimin e rrugëve në komunë të Likovës, por me vlerë më të ulët.
“Propozojmë që 16 milion denarë t’i ndahen komunës së Likovës për asfaltimin e rrugëve të cilat janë në përgjithësi rrugë të fshatrave të cilat gravitojnë fëmijët e shkollave, gjegjësisht për të shkuar fëmijët nëpër shkolla”,- theksoi deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.
“Amendamenti i paraqitur nga deputeti, Rexhail Ismaili, pranohet, por me ndryshime sa i përket vlerës. Jo 16 milion por 4 milion denarë”,- tha zëvendësministrja e financave, Shyrete Elezi.
Rebalanci i propozuar, sipas pushtetit, është projektuar duke ndjekur situatën politike në vend. Opozita nga ana tjetër pohon se Qeveria ka dështuar në realizimin e investimeve kapitale pasi ka punuar pa plan.
ERSAN PAJAZITI