Realizohet filmi i parë për koronavirusin, ende pa përfunduar pandemia


Gjatë kohës që koronavirusi nisi të pushtonte titujt kryesor të mediave, por përpara se jeta të bllokohej totalisht, një regjisor i pavarur konceptoi, xhiroi dhe përfundoi postproduksionin e një filmi në lidhje me pandeminë.

Falë pajisjeve digjitale relativisht të lira, sot është shumë më e lehtë që një film të prodhohet në mes të ngjarjeve reale, por askush nuk e priste që të vinte kaq shpejt një prodhim për koronavirusin, duke pasur parasysh që pandemia po vazhdon ende.

Mostafa Keshvari ka realizuar filmin “Corona”, i cili për 63 minuta tregon se çfarë ndodh kur 7 njerëz, njëri prej të cilëve është prekur nga koronavirusi, bllokohen brenda një ashensori. Keshvari është shprehur në një intervistë se ky film flet për frikën, për një studim të shoqërisë, njerëzve dhe zgjedhjeve të tyre morale.

Ai ka treguar se gjatë kohës që i erdhi në mendje ideja për filmin ishte duke lexuar në ashensor lajmet që shkruheshin për aziatikët që dhunoheshin, sepse shiheshin ata si fajtorë, mbartës të virusit.

“Atëherë pati shumë incidente. Askush nuk e mendonte se një person i bardhë mund të infektohej nga virusi. Por virusi nuk është diskriminues. Në jetën reale të gjithë përballemi me diskriminim të llojeve të ndryshme. Prandaj mendova se nëse i bëja bashkë të gjithë këta njerëz në një film dhe i bllokoja diku, atëherë ata mund të nxirrnin në pah ngjyrat e tyre të vërteta”, ka thënë regjisori.

Mostafa ka treguar se për 2 javë ka shkruar skenarin dhe se për filmin ju deshën 10 ditë të tjera për ta xhiruar. “Morëm me qera një hapësirë dhe ndërtuam një ashensor. Në buxhet shumë të ulët. Aktorëve ju thashë të improvizonin. Ju thashë imagjinoni sikur koronavirusi është vërtetë në këtë ashensor”, ka thënë Mostafa.

Ai kishte planifikuar që filmi të shfaqej në festivale, por për shkak se eventet kulturore janë anuluar ka vendosur ta transmetojë online