Reagon VV-ja: Kurti e Osmani nuk u kthyen prapa, por e realizuan vizitën në tërësi

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, dhe kandidatja për deputet në listën e kësaj partie, Vjosa Osmani e kanë vizituar sot qytetin e Mitrovicës. Ata ecën këmbë dhe dolën edhe në Mitrovicën e Veriut, por disa të rinjë serbë me brohoritje kanë tentuar që ta ndalojnë vizitën e tyre në këtë pjesë.

Lidhur me këtë çështje kanë folur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu, ka thënë për Express, se vizita nuk është ndërpre nga askush dhe se është realizuar në tërësi.

“Albin Kurti e Vjosa Osmani kanë vizituar Mitrovicën sot. Vizita nuk është ndërprerë, por është realizuar në plotëni. Pra tubimi i paraparë është mbajtur”, ka thënë ai për Express.

Sipas tij, kjo vizitë nuk ka qenë e mirëpritur nga strukturat e Listës Serbe që operojnë në atë pjesë.

“Atje janë mirëpritur nga qytetarët e  Mitrovicës, por padyshim jo edhe nga strukturat e Listës Serbe të Beogradit që veprojnë në atë pjesë. Synimet e kësaj të fundit i njohim të gjithë, kë përfaqësojnë dhe kujt i binden. Ky reagim i tyre sot tregon më së miri se z. Kurti e znj. Osmani në fakt janë antipodi edhe i Listës Serbe”, ka thënë ai./Express