Reagon PSD’ja pas sulmit nga djali i Tomë Gashit: Sulmonte fizikisht Frashër Krasniqin, shante Nol Nushin

Pas sulmit fizik ndaj Frashër Krasniqit nga ish-kandidati i VV’së për deputet, Albin Gashi ka reaguar edhe PSD’ja, duke e quajtur këtë sulm të paarsyeshëm.

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka bërë të ditur se Albin Gashi, kandidat i VV’së për deputet, njëherësh djalë i Tomë Gashit, ka sulmuar fizikisht Frashër Krasniqin.

Ky është njoftimi i plotë i saj:

Albin Gashi, ish kandidati i VV- së për deputet dhe djali i Tomë Gashit, ka sulmuar fizikisht Frashër Krasniqin. Pa asnjë arsye dhe pa asnjë zënkë paraprake. I njejti, duke sulmuar shante Nol Nushin.

Sharjet masive, kërcënimet e linqimet janë mënyrë funksionimi e partisë në pushtet. Nevojitet pak gjë që kjo gjendje e dhunës të shndërrohet në manifestim konkret.

Kur argumenti i vetëm është ai i numrave dhe i forcës, sigurisht se mujsharia është sjellja politike që pason. Kjo mënyrë e pushtetit të shkuar nuk supozohej me qenë pushteti i ri.

Me këtë rast dhe rastet e ngjashme duhet të merret policia, por tejkalimi i kësaj gjendjeje është i mundur vetëm përmes demokratizimit të shoqërisë. Pengesa kryesore për këtë gjë sot është partia në pushtet.