Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se deklaratat e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, lidhur me të pagjeturit po shtrëmbërohen dhe se po të ishin të vërteta, atëherë do të merreshin masa ndaj tij. Hoti para mediave ka thënë se nëse do të kishte një element më të vogël në deklaratat e Selmanajt që do t’i cenonte familjarët e të pagjeturve, atëherë do të merreshin veprimet e nevojshme.
“Nëse ka pasur përkushtim për zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve ndonjëherë ka në këtë qeveri, nuk ka munguar përkushtimi as në qeveritë e kaluara. Deklaratat që i ka dhënë z.Selmanaj janë totalisht duke u shtrembëruar nga persona të caktuar. Nëse do të kishte një element më të vogël në bindje ose në deklaratat z.Selmanaj ose të cilido anëtarë të qeverisë, jo të stafit politik po cilido zyrtar të shtetit që do të binte ndesh me parimet e funksionimit tonë dhe që në çfarëdo forme do të cenonte ose do të fyente, t’i bënte të ndihen keq familjarët e të pagjeturve, unë i pari i qeverisë do t’iu kërkoja falje atyre dhe do të merrja menjëherë veprimet e nevojshme, por e vërteta nuk është ashtu.”, ka thënë Hoti.
Hoti ka kërkuar falje për këto deklarata, por sipas tij, e vërteta qëndron ndryshe prej asaj që po thuhet publikisht. “Nëse dikush nga familjarët e të pagjeturve ose kushdo tjetër është ndjerë keq nga informatat e shtrembëruara për deklarimet e z.Selmanaj edhe për atë iu kërkojë falje, por e vërteta nuk qëndron ashtu siç po thuhet publikisht”, tha ai.
Kujtojmë se interpelanca e Kuvendit për të pagjeturit, ditën e enjte ëshë përcjellur me shumë tensione, fillimisht pati përplasje mes Arben Gashit të LDK’së e Saranda Bogujevcit të LVV’së, e cila është e mbijetuar e masakrës në luftën e fundit në Kosovë. Debati vazhdoi edhe nëpër studiot televizive, i ftuar në emisonin “Pressing” në T7, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj i tha gazetarit Parim Olluri se “jemi lodhë me kësi qasje”. Deklarata e tij u shpërnda me të madhe në rrjetet sociale dhe më pas u inicua edhe një peticion për shkarkimin e tij