Reagon ASH-AAA-ja: E papranueshme tendenca e Pendarovskit për të ndërhyrë në gjyqësor


“Është e papranueshme tendenca e presidentit për të ndërhyrë në mënyrë kaq direkte në gjyqësor, aq më tepër për një rast që duhet të jetë sprovë për sistemin e drejtësisë në vend dhe leksion për të ardhmen. Është e papranueshme që presidenti i një shteti anëtar në NATO të merr shembull sistemin jugosllav të drejtësisë”.

Kështu reagojnë nga koalicioni opozitar, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për deklaratën e presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski për “procesin gjyqësor për ngjarjet e 27 prillit”.
Shtojnë, se deklarata “është në kundërshtim të plotë me të gjitha zotimet e tij të deritanishme për shtet të drejtë për të gjithë qytetarët, për drejtësi dhe rend kushtetues”.

“I nderuar Pendarovski, Ju nuk hapët gojën asnjëherë për rastet e montuara sidomos ndaj shqiptarëve, e në veçanti kur u vra një fëmijë si Almiri dhe u lirua një kriminel si Boban Iliqi. Është e papranueshme kur Ju si president bëheni pjesë e debatit për falje të terroristëve të 27 prillit, rikualifikim të veprës ose lojëra të ngjashme si ato që pamë kur u amnistuan një pjesë prej tyre. Çdo rikualifikim i veprës së dhunuesve do të nënkuptonte edhe rikualifikim i betejës tonë kundër regjimit të atëhershëm të cilin e luftuam të gjithë. Deklaratat e fundit vetëm se forcojnë dyshimet e opinionit se dikush në hierarkinë shtetërore dhe qeveritare vazhdon të bashkëpunojë dhe t’i zgjasë dorën atij regjimi, gjysma e së cilës edhe ashtu është pjesë e Qeverisë aktuale. Skandaloze është edhe marrja shembull e një figure si Aleksandër Vuçiçi, që ka pasur gisht në të gjitha gjakderdhjet në Ballkan si ish ministër propagandë e Millosheviçit, kundërshtar i NATO-s dhe sot ngulfatës i demokracisë dhe opozitës në vendin e tij”, thuhet në kumtesën e ASH-AAA-së.