Reagon Ambasada holandeze: Lajm i rremë se po përkrahim veton bullgare

Ambasada holandeze ka përgënjeshtruar lajmin se vendi i tyre po e përkrah veton bullgare për Maqedoninë e Veriut në planin e eurointegrimeve.

“Holanda ka vlerësuar dhe ende vlerëson se Maqedonia e Veriut ka bërë progres të mirë dhe se Konferenca e parë ndërqeveritare mund të mbahet menjëherë pas miratimit të kornizës negociuese. Njoftimet e disa mediave se Holanda I ka dhënë përkrahje vetos bullgare, janë të pabaza dhe lajme të rrejshme”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Holandës në Shkup.

Më tej theksohet se Qeveria e Holandës më 30 Tetor 2020 ka njoftuar Parlamentin holandez për vendimin se konferenca e përbashkët ndërqeveritare mund të mbahet.

“Ky qëndrim mbetet i pandryshuar. Holanda vlerëson se Maqedonia e Veriut ka bërë progres të mirë dhe se Konferenca e parë ndërqeveritare mund të mbahet menjëherë pas miratimit të kornizës negociuese”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Holandës në Shkup.