Reagon AGK’ja pas sulmeve të Edi Ramës ndaj Express dhe T7’shit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar sulmin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe shkrimtarit Rexhep Qosja, ndaj Gazetës Express dhe Televizionit 7, transmeton Gazeta Metro.
Të martën, Qosja ka dalë me një shkrim ku akuzon Gazetën Express dhe Televizionin 7, për urrejtje ndaj shtetit të Shqipërisë.
Sulmet e Qosjes ndaj Expressit dhe T7’shit i kanë pëlqyer Ramës, i cili më pas i ka shpërndarë në profilin e tij.
AGK’ja konsideron se sulmet e tilla janë shkelje të lirisë së shtypit.

Reagimi i plotë:
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nis fushatë degraduese edhe ndaj medieve në Kosovë
PRISHTINË, 19.02.2020 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e sheh me shqetësim secilin sulm që bëjnë politikanët dhe personalitetet publike kundër medieve dhe lirisë së fjalës.

Së fundmi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vendosur që të sulmoj disa nga mediet e Kosovës duke thënë se ato po përdorin një ofensivë të egër pushtuese të hapësirës publike të komunikimit, që me vulgaritetin, shpifjet dhe dritëshkurtësinë e tyre, siç është shprehur ai, kanë nisur ta dëmtojnë keq vet Kosovën.
Këtë kryeministri Rama e ka bërë duke shpërndarë në Facebook një qëndrim të fundit të Akademik Rexhep Qosjes kundër Televizonit 7 dhe Gazetës Express.

“As kryeministri i Serbisë mbretërore, Nikolla Pashiqi, as ministri i Sigurimit të Brendshëm Shtetëror – UDB-së së Serbisë dhe Jugosllavisë Komuniste, Aleksandër Rankoviqi e as kryetari i Serbisë pseudodemokratiko-fashiste, Sllobodan Millosheviqi, që aq shumë e kanë dëshiruar zhbërjen e shtetit shqiptar, nuk kanë propaganduar kaq haptas, kaq botërisht, aq urrejtje shoviniste kundër Shqipërisë sa e si po propagandon Masmedia e Prishtinës me disa radio, televizione e portale, e sidomos me televizionin T7 dhe me gazetën portal “Express” – shkruan Akademik Qosja, qëndrim ky i shpërndarë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Pas analizimit të hollësishëm të deklarimeve publike, AGK konsideron se etiketime të tilla kundër medieve të caktuara në Kosovë, në këtë rast kundër T7 dhe Gazetes Express, shkelin të drejtën e lirisë së shtypit. Kjo, sidomos duke marrë parasysh raportin jo të mirë që ka kryeministri, Edi Rama me mediet në Shqipëri.

AGK po ashtu fton të gjithë akterët politikë dhe personalitetet e tjera që në rast të gjetjes së fakteve për shpifje nga ana e gazetarëve t’u drejtohen institucioneve kompetente, dhe jo të bëjnë fushatë degraduese kundër gazetarëve.
AGK gjithashtu fton të gjithë kolegët gazetarë që punën dhe misionin e tyre ta kryejnë me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë duke i kontribuuar zhvillimit të mirëfilltë të demokracisë dhe shtetit. Sulmet e çfarëdo natyre nga kushdo e sidomos nga politikanët, nuk duhet të zbrapsin asnjëherë gazetarët nga misioni i tyre i shenjtë, për të informuar drejt publikun.