Reago BIK’u pasi vendosen afishe,“Vota për VV’në është hallall, për partitë tjera haram”

Në Facebook po qarkullon një afishe me mesazhe në gjuhën arabe e shqipe me anë të së cilës kërkohet vota për Lëvizjen Vetëvendosje. Në afishen ku citohen ajete të ndryshme të Kuranit, zgjedhësve kosovar u thuhet se vota për VV-në është “hallall”, ndërsa për partitë e tjera është “haram”.

Në foton e afishes së shpërndarë në Facebook nga Nysret Durmishi, që sipas të dhënave në profilin e tij është inspektor i punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale e përkrahës i Nismës, shkruan se qytetarët e kanë të ndaluar të përkrahin të korruptuarit.
“Qytetarë, pra siç po shohim edhe Allahu na urdhëron që mos të përkrahim të korruptuarit, por në vend të tyre të jemi më të drejt. Prandaj që Allahu të jetë razi me ne, jemi të obliguar të votojmë LVV-në, të pastër, të pa korruptuar, që mendon për popullin, janë të drejtë”, shkruan në afishen e shpërndarë nëpër qytet.

Ndërkaq Durmishi që e postoi afishen e fotografuar nga vet ai, ka shkruar se këto mesazhe janë të rrezikshme për shoqërinë kosovare.
“Ju përkrahës të VV-së, që as vetë nuk e dini, pse keni vendosur ta përkrahni kët sekt, shiqoni ku arrine injoranca e tyre, as ju e as ne nuk e dijmë ku eshte qellimi i këtyre njerezve qe nuk ja duan te miren vendit tone, ka ardhur momenti qe edhe organizatat e dyshimta qe nuk e dijme se me qfare misioni jan ne Kosove, e qe thiren ne emer te fese Islame, shperndajne afishe te tilla, shum te rrezikshme per vendon tone! Nese per kete veprim ka dijeni edhe BIK-u, ateher eshte turp dhe duhet te mbaje pergjegjesi per nje veprim te tille!”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

Postimi i plotë i Durmishit

Në një prononcim Durmishi ka treguar se fotoja është bërë në afërsi të Bashkësisë Islame në Prizren.
Por BIK-u për ka thënë se këto afishe nuk janë vendosur në xhamitë apo objektet e tjera të kësaj organizate.
“Nuk kemi asnjë njohuri për këtë veprim. Në objektet tona nuk është vendosur e as nuk kemi dijeni kush qëndron prapa këtyre afisheve”, ka deklaruar Ahmet Sadriu, Sekretar i BIK-ut.