Reagimi i Albin Kurtit për fitoren e Zvicrës – përmend Xhakën, Shaqirin dhe politikanët serbë


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka komentuar kalimin e Zvicrës tutje në Kampionatin Botëror që po mbahet në Rusi.

Kurti ka theksuar se dënimi me nga 10 mijë euro pë Shaqirin dhe Xhakën, për shkak të gjestit me shqiponjë në ndeshjen me Serbinë, nuk i ndali ata.

“Dënimi i shqiptarëve të Zvicrës dhe të shokëve të tyre të skuadrës, nuk i ndali ata. Edhe sonte kontribuan për kualifikimin dhe vazhdimin më tej të ekipit ku luajnë.

Ai i ka përgëzuar lojtarë shqiptarë që luajnë për kombëtarën zvicrane, por edhe Zvicrën që ua hapi dyert atyre.

“Si mërgimtarë ata janë mirëpritur nga Zvicra, e cila është një ndër vendet që shquhen për sistemin integrues të emigrantëve, pa ua shtypur e asimiluar atyre kulturat nga vijnë. Andaj, me vrull e vullnet ata kanë luajtur e kontribuar për Zvicrën në futboll, ashtu si qindra mijëra shqiptarë të tjerë, më pak të famshëm, që kanë kontribuar me punën e tyre në sektorë të ekonomisë, prodhimit, së fundi edhe artit, kulturës e sportit në Zvicër”, ka shkruar Kurti.

Për Kurtin, loja e bukur e tyre është përkthyer si rezultat i ndjenjës së tyre patriotike dhe shqiptare.

“Por pasioni i tyre patriotik, ndjenja e tyre shqiptare, u përkthye në lojë të bukur sidomos në atë ndeshje vendimtare, përballë Serbisë. Ndeshje e cila si zakonisht u ngarkua rëndë prej komenteve para e gjatë ndeshjes, jo vetëm nga tifozët, por edhe nga drejtues e politikanë serbë.Kualifikimi i sotmë është shpërblimi më i mirë për ta, dhe shpresojmë që të kenë sa më shumë përballje të dinjitetshme në këtë Kupë të Botës. Urime!”, ka përfunduar Kurti.