Reagime të shumta për deklaratën e Rexhepit: Të dëgjohen kompetentët


Autoritetet shëndetësore dhe partitë politike dënojnë deklaratën e kreut të BFI-së Sulejman Rexhepi i cili një ditë më parë e shpalli virusin të vdekur. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se virusi nuk është “i vdekur” dhe se masat janë efektive vetëm nëse respektohen.

 “Virusi korona as nuk ka vdekur dhe as nuk ka kaluar. Ai është këtu dhe për fat të keq, problemi do të zgjatet deri sa ka të tillë që e injorojnë. Shumë herë e kam përsëritur dhe po e them përsëri; nëpunësit shëndetësor nuk munden të vetëm- deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Nga Qeveria nuk flasin për përgjegjësinë e prijësve fetar për deklarata të këtilla, në kushte kur numri i të infektuarve shënon rritje. Nga atje thonë se pandemia nuk ka përfunduar dhe të gjithë obligohen t’i zbatojnë masat.

Qeveria

“Vazhdimisht u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve në shoqëri, përfshirë edhe bashkësitë fetare se e kanë për detyrë në mënyrë më rigoroze t’i respektojnë masat e institucioneve… Qytetarët dhe mediat për virusin korona edhe më tej duhet të informohen nga institucionet kompetente si Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet brenda Ministrisë.”

LSDM-ja thirret në qëndrimin e ministrit Filipçe kurse VMRO-DPMNE-ja nuk e komenton atë. Partitë shqiptare nga ana tjetër bëjnë thirrje që të ndiqen dhe të zbatohen rekomandimet e institucioneve shëndetësore si të vetmit që janë kompetentë për të dhënë vlerësime të tilla.

BDI

“Pa dashur të komentojmë deklarata të Bashkësive fetare, mendojmë se vlerësime, analiza, rekomandime, udhëzime për pandeminë mundet dhe duhet të japin vetëm profesionistët shëndetësor kurse të tjerët, përfshirë këtu politikanët, organizatat, partitë politike duhet t’i dëgjojnë dhe t’i ndjekin.”

Lëvizja Besa

“Në aspektin shëndetësor informacionet e vetme që duhet të merren me relevancë janë nga institucionet shëndetësore. Prandaj, si parti politike nuk duam të hyjmë në polemikat “paushalle” nga njerëz jo kompetent, por do të vazhdojmë të bëjmë thirrje që të respektohen rekomandimet e institucioneve shëndetësore…”

Aleanca për Shqiptarët

“Çdo deklaratë e kujtdo qoftë duhet të jetë e argumentuar dhe e menduar sepse flitet për shëndetin publik të qytetarëve, të cilët shpeshherë bëhen edhe pre e informacioneve të ndryshme të  pakoordinuara, e aq më tepër këto informacione nuk duhet të bien ndesh me institucionet përkatëse shëndetësore të vendit dhe të organizatës botërore shëndetësore.”

Kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi, pas faljes së Bajramit deklaroi se lufta me virusin është fituar dhe e shpalli atë të vdekur. Deklarata kontradiktore, kreu i BFI-së kishte dhënë edhe më herët që nga fillimi i pandemisë. Ai u kërcënua se nëse shteti nuk e financon BFI-në gjatë krizës, vendi do të bëhet Bangladesh. Më pas, Rexhepi kërkoi nga autoritetet të lejojnë faljen e Bajramit duke i kujtuar se zgjedhjet janë afër.