Reagim i ASH-së për rastin e Almirit

Rasti i Almirit është rast i cili fatkeqësisht në çdo aspekt dëshmon pse nuk mund t’i besojmë sistemit tonë të drejtësisë dhe pse gjithmonë jemi të detyruar drejtësinë ta kërkojmë në instanca ndërkombëtare!

Abuzimi shtetëror ndaj lëndës, i cili me çdo kusht shpëtoi kryerësin e veprës penale dëshmon për sistemin tonë të drejtësisë që nuk shërben për gjë tjetër veç se si mjet i pushtetit ekzekutiv.

Nuk duhet të jesh ekspert i juridikut për të kuptuar se vepra në fjalë kishte të gjitha elementet për t’u gjykuar sipas kualifikimit të parë, pa pasur nevojë për rikualifikim! Drejtësia duhej të vihet në vend që nga fillimi, sepse kjo është ajo që një vend demokratik u siguron qytetarëve të vet pa dallim feje, kombësie, race!

A është kjo ardhmëria që po u premtohet fëmijëve tanë?!

Fatkeqësisht, me një sistem të drejtësisë të kapur nuk mund të ndjejmë as siguri e as jetë në këtë vend.

Aleanca për Shqiptarët vazhdimisht ka kërkuar dhe do të vazhdojë të kërkojë reforma rrënjësore në drejtësi, të cilat ka kohë që është dashur të bëhen!

Pa pastruar sistemin e kapur të drejtësisë dhe pa u siguruar qytetarëve tanë drejtësi, siguri dhe jetë ndërgjegjja jonë nuk na lejon të mendojmë për gjëra tjera.

Është koha për drejtësi!

Aleanca për Shqiptarët