Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se përvjetori i 17-të vazhdon ta gjejë Marrëveshjen e Ohrit të kontestuar në të gjitha drejtimet me qëllim të devalvimit sa më të madh të këtij dokumenti.
“Kontestimi dhe devalvimi i Marrëveshjes së Ohrit vazhdon të vijë nga të njëjtat forca destruktive, qoftë nga kampi maqedonas apo edhe ai shqiptarë, që gjithmonë kanë preferuar paqartësi dhe mosmarrëveshje, në vend të qartësisë dhe marrëveshjeve. Në bazë të kësaj logjike, Marrëveshja e Ohrit edhe më tutje do të vazhdoj të kontestohet dhe devalvohet sepse i dha fund “biznesit” të këtyre forcave destruktive dhe nuk do të mund të ketë marrëveshje që do të mund të kënaq apetitet e tyre”, thonë nga RDK.
Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se Marrëveshja e Ohrit erdhi si rezultat i një lufte shumë vjeçare të popullit shqiptar për barazi të plotë dhe demokraci reale, kundër një aparati shtetërorë me mentalitet komunist, i përkrahur fuqimisht nga ish UDB – ja jugosllave dhe Millosheviqi, për ruajtjen e privilegjeve të një grupi, si sundimtarë të Maqedonisë kundrejt popujve të shtypur, në radhë të parë shqiptarëve si shumicë.
“Marrëveshja e Ohrit ishte një projekt ndërkombëtarë që sa do pak Maqedonisë i dha mundësinë të zgjidh problemet paqësisht dhe të konsolidoj demokracinë. Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se votimi i ligjit për përdorim të gjuhëve më në fund rrumbullakon pjesën normative të kësaj marrëveshje, por nuk ka dilemë se fryma e Marrëveshjes së Ohrit nuk është zbatuar plotësisht, dhe se ka hapësirë për rrumbullakim të kësaj fryme. Moszbatimi dhe zvarritja e gjatë e implementimit të kësaj marrëveshje, dhe kësaj fryme, ndodhi për shkak të riorganizimit dhe formimit të klaneve të interesit qe u lidhën fortë mes veti, dhe përdorën mekanizma dhe lojëra të ndryshme për ta sabotuar këtë marrëveshje. Për fat të keq, këtij grupi të interesi iu bashkëngjiten edhe shumë shqiptarë të korruptuar, dhe disa grupe të vogla nga komunitetet tjera, turq, rom, boshnjak, dhe arritën ta zvarrisin implementimin e kësaj marrëveshje”, thuhet në kumtesën e RDK-së.
Rilindja Demokratike Kombëtare vlerëson se koalicioni i ri qeveritar, edhe pse me vështirësi, tregoi qasje pozitive ndaj rrumbullakimit të Marrëveshjes së Ohrit me votimin e ligjit për përdorim të gjuhëve, dhe ngelën që realizimi i frymës së kësaj marrëveshje, të jetë udhërrëfyes për krijimin e një shteti të barabartë për të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke hapëruar hapat e fundit drejt BE dhe NATO.