Raufi: Kërkojmë takim me qeverinë Kurti për fatin e Grupit të Kumanovës

Mbrojtja e pjesëtarëve të ashtuquajturit “Grup i Kumanovës” do të kërkon takim me përfaqësues të qeverisë së re kosovare, lidhur me rastin “Lagja e Trimave”. Avokati mbrojtës Naser Raufi thotë se takimi do të ketë dy qëllime. Në njërën anë do të kërkohet ndihmë nga qeveri e re në Prishtinë lidhur me ndriçimin e prapaskenave të rastit “Lagja e Trimave”, kurse në anën tjetër do të bisedohet për fatin e pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, që sipas mbrojtjes, po mbahen pa të drejtë dhe në kushte të vështira në bu*rg.

“Shpresojmë se kërkesa jonë për takim do të pranohet së shpejti”, thotë Raufi për gazetën Lajm, duke shtuar se përveç kësaj kërkese publike, do të bëjnë edhe kërkesë formale për takim.
Ai shpreson se qeveria e re kosovare do të ofrojë informacione të rëndësishme që do të çojnë deri te autorët e vërtetë të rastit “Lagja e Trimave”, respektivisht tek personat që e montuan këtë rast.
“Mendoj se kur të dalin në shesh skenaristët e rastit, do të dëshmohet se pjesëtarët e Grupit të Kumanovës janë dënuar pa bazë me dënime drakonike”, thekson avokati Naser Raufi.

Poashtu do të kërkohet që qeveria kosovare të bëjë maksimumin të gjendet zgjidhje për pjesëtarët e Grupit që gjenden në burg dhe që po mbahen në kushte jonjerëzore.
Para disa ditëve, Raufi njoftoi për rastin e Demë Shehut të cilit nuk i mundësohet vizitë te stomatologu edhe pse ka dhimbje të mëdha të dhëmbit.

“Gjendja e tyre ka qenë gjithmonë e keqe dhe sjellja e gardianëve ka qenë edhe një problem në vete. Disa herë e kam paraqitur këtë problem të Avokati i Popullit, rastin e Demë Shehut të cilit përpiqemi ta dërgojmë te stomatologu prej 20 ditësh dhe nuk na lejohet. Gjykata arsyetohen kinse nuk kanë asistencë dhe e zvarrisin qëllimisht vizitën te stomatologu. Pra, për të dënuarit në rastin “Lagjja e Trimave”, malltretime dhe dhuna vazhdojnë nga viti 2015”, tha avokati Naser Raufi