Rasti “Zhvatja”, detaje të reja nga USB-ja e Kiçeecit

Çfarë kanë biseduar Boki 13 dhe Ana Kamçeva me vëllain e gjykatëses Vesna Dimishkova, Vasill Dimishkov do të mbetet enigmë për opinionin.

Më shumë se 2 orë seanca e sotme për rastin “Zhvatja” me kërkesë të prokurores Villma Ruskoska, ishte e mbyllur për opinionin. Bëhet fjalë për biseda që mund ta cenojnë privatësinë e personave të përfshirë në incizimet. Dje të akuzuarit këmbëngulnin Gjykata të mos e përjashtojë opinionin. Boki 13 pohonte që me incizimin zanor do të hapet Kutia e Pandorës ndërsa Katica Janeva tha se kjo është dëshmi që do të tregoj se bëhet fjalë për ofrim ryshfeti e jo për zhvatje. Megjithatë, avokati i Boki 13, Sasho Dukovski pas dëgjimit të materialeve, tha se incizimi nuk i ka dhënë kurrfarë konteksti aktakuzës.

Ndryshe, seanca e sotme filloi gjysmë ore me vonesë. Para se të përjashtohet publiku, Boki 13 u ankua nga policia e burgjeve.

Jam vonë sepse më sulmuan policët e burgut – tha Bojan Jovanovski, i akuzuari i parë në rastin “Reket”.

Nga Burgu hetuesi i Shutkës thotë se Boki 13 nuk ka pranuar që policët t’i vënë pranga për ta sjellë atë në gjykatë, por që nuk ka pasur tensione.

Bojan Jovanovski ka rezistuar gjatë vënies së prangave. Këto janë informatat e para, se çfarë ka ndodhur më saktë, do e konfirmojmë. Nuk besoj se dikush e ka sulmuar, ai shtatë muaj është në burg dhe nuk ka ndodhë një gjë e tillë – tha Esad Rahiq, drejtor i burgut të Shutkës.

Rasti Reket për të akuzuarit Boki 13 dhe Katica Janeva është në procedurën e dëshmimit. Nga java e ardhshme para gjykatës do paraqiten dëshmitarë të propozuar nga i dyshuari i parë. Zoran Milevski Kiçeec që moti pranoi fajin dhe u dënua me tre vjet burg.