Rasti i Velesit, Filipçe: Institucionet të zbardhin rastin

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe i cili javë më parë deklaroi se rasti në Veles është mbyllur dhe nuk ka nevojë për hetim shtesë, sot ndryshoi qëndrim. Pas pretendimeve të ministrit të Brendshëm, Naçe Qulev se mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative është mësuar se anëtarët e familjes Manoillov kanë ndërruar jetë në gjysmën e dytë të janarit, Filipçe sot kërkoi që të gjitha institucionet të bashkëpunojnë dhe zbardhin të vërtetën.

“Nëse dikush ka informacione të cilat nuk i janë dhënë institucioneve, le ta bëj këtë në mënyrë zyrtare. E kam thënë se akoma nuk ka përfunduar gjithçka nga mjekësia ligjore, por informacionet e para dhe konstatimet në autopsi është ardhur në përfundim se vdekja ka ndodhur disa javë para se të gjenden. Dua ta përsëris se komunikimi zyrtar mes institucioneve serioze për çështje serioze duhet të jetë mënyra e vetme e komunikimit me qëllim që të vihet deri tek e vërteta dhe t’ia themi opinionit” -tha Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Pak ditë më parë, mbi bazën e konstatimeve të dala nga raporti i institutit të mjekësisë ligjore, ministri Filipçe theksoi se vdekja e dy anëtarëve të familjes Manoillov ka ndodhur në fillim të muajit mars. Filipçe kishte deklaruar se mjekësia ligjore ka bërë dy raporte dhe se nuk kishte nevoje për hetime shtesë.

“Ka përfunduar ekspertiza e Institutit për Mjekësi Ligjore të dy personave që u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre, nënë e bir. Në bazë të gjithë analizave, gjendja e trupave, kushtet ambientale dhe të gjitha informacionet që morën mjekët e institutit, është konstatuar se vdekja ka ndodhur para 3 -4 javësh, pra në mars dhe jo në janar, siç ishte përmendur, për këtë arsye s’ka interes të bëhen hulumtime shtesë. Vazhdon puna për arsyet e vdekjes, që nuk është lënde në interesin tonë” -deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Instituti i mjekësisë ligjore përmes një reagimi ka theksuar se nuk lëviz nga qëndrimi i tyre shkencor dhe se vdekja e dy anëtarëve të familjes Manoillov nga Velesi ka ndodhur 3-5 javë para gjetjes së trupave. Rastin në Veles të cilin e zbuloi Alsat rezultoi që anëtarët e familjes të kenë qenë të infektuar me Kovid-19, ndërsa sipas fqinjëve ata për herë të fundit janë parë në fillim të janarit. Kjo ngriti dyshimet nëse virusi Korona ka qenë prezent që nga fillimi i muajit janar.

Adrian Kerimi