Rasti “Alfa”, Gjykata Penale pa vendim për kërkesën e mbrojtjes për rigjykim

Gjykata Penale asnjë përgjigje mbi kërkesën e mbrojtjes në rastin “ALFA” e cila përmes akt ekspertimit të ri synon rigjykimin e rastit, shkruan Alsat.

Adresuam pyetje deri tek kreu i gjykatës së shkallës parë, por deri në këto momente nuk morëm përgjigje. Mbrojtja nga java e kaluar pret formimin e Këshillit i cili do të vlerësojë nëse ekspertiza për rastin “ALFA” e cila ka konstatuar se personat e dënuar për këtë rast nuk kanë lidhje me provat materiale të marra si dëshmi për epilogun gjyqësor, do të sjell moment të ri dhe do të hap gjykimin e ri.

Alsat jo zyrtarisht mëson se ideja e palëve ka qenë që ekspertiza e bërë të dërgohet për vlerësim në Byronë e Mjekësisë Ligjore, veprim ky i cili nuk ka ndodhur deri tani, pasi çdo dëshmi e fortë e cila ka sjell momente të reja, ka kthyer rastet në rigjykim. Paraprakisht, Byroja e Mjekësisë Ligjore ishte prononcuar se për të realizuar një ekspertizë të video-materialit nga vrasja në parkingun e Fakultetit Matematiko-natyror në Shkup, nuk posedon resurse materiale dhe njerëzore. Mungesë të resurseve për ekspertiza fotogrametrike dhe antropologjike ka edhe Ministria e Brendshme.
Ndërkohë në Kuvend në fazën e debatit publik ka ngecur Propozim-Ligji për rivlerësimin e fakteve dhe provave të përdorura si dëshmi në procedurë gjyqësore i cili parashikon hapjen e rasteve gjyqësore për të cilat palët konsiderojnë se mund të sjellin rrjedhë të re në epilogun penal.

Vrasja e një polici dhe plagosja e dy të tjerëve ndodhi më 26 nëntor të vitit 2008 në parkingun e Fakultetit Matematiko-natyror në Shkup. Në vitin 2010 gjykata dënoi me burg të përjetshëm Rexhail Qerimin, Agim Islamin dhe Almir Derplaninin, ndërsa për logjistikë me 9 vite burg u dënua Ramadan Shaqiri. /Alsat.mk