Rastet e reja në Likovë, vatra të njohura

Likova vazhdon të jetë zonë me rrezikshmëri të lartë për infektim nga CoVid-19. Nga 14 rastet e regjistruara në gjithë rajonin e Kumanovës, vetëm në Komunë të Likovës u diagnostikuan 9 pacientë. Kreu i kësaj komune Erkan Arifi tha se po bëjnë çmos që të ndërgjegjësojnë banorët për respektim të masave.

“Këto raste janë nga familjarët të cilët kanë qenë më herët të infektuar dhe është bërë infektimi tek anëtarët e tjerë të familjes. Për momentin një nga fshatrat më të prekur është Mateçi, Sllupçani dhe disa fshatra të tjerë. Dje kishim dy vdekje në Komunë, një nga Opaja dhe një nga Mateçi- deklaroi Erkan Arifi Kryetar i Komunës së Likovës.

Nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë thonë se situata alarmante është bërë në ato familje ku vetëm ka pasur raste pozitive. Drejtori Arif Latifi apelon që të mos të ketë tubime familajre.

““Këto raste janë zbuluar në bazë të anketave epidemiologjike sepse ne duke gjurmuar kemi hasur në disa familje, të cilat kanë njerëz me simptoma dhe pacientë të sëmurë dhe iu kemi bërë teste të cilat kanë rezultuar pozitiv- pohoi Arif Latifi, Drejtor i Qendrës së Shëndetit Publik – Kumanovë.

Aktualisht në Komunë të Likovës ka 234 të prekur apo 1/3 sa ka në gjithë rejonin e Kumanovës.

Kurse, gjysma e rasteve aktive nga ky rajon janë vetëm në Likovë, përkatësisht 142 janë aktive./Adnan Qaili