Rashkovski akuzohet për pastrim parash dhe shpërdorim detyre

Shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskovska, kërkon që të gjykohen ish -Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë Dragi Rashkovski dhe gjashtë persona të tjerë. Aktakuza e ngritur në Gjykatën Penale ka të bëjë me prokurimet problematike të softuerit – për shpejtësinë e veturave në trafik dhe identifikimin biometrik. Në tërësi – katër prokurime. Midis tyre janë softuerët e tij personal të patentuar. Rashkovski akuzohet për dy vepra penale- pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Dy të tjerët akuzohen për ndihmë në vepër penale dhe katër të tjerët dyshohen se duke i ndihmuar kanë bërë vepër penale shpërdorim të detyrës dhe autoritetit.

Në periudhën nga qershori 2017 deri në shkurt 2021, në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë, i pandehuri i parë, si person zyrtar, i ndihmuar qëllimisht nga të pandehurit e dytë dhe të tretë, bashkëpunëtorë të jashtëm, duke përdorur të njëjtat mundësi, të tre kanë kryer më shumë veprime të lidhura kohore, të cilat paraqesin realizim të shumëfisht të të njëjtës vepër”, thonë nga Prokuroria Publike.

Sipas aktakuzës, Rashkovski gjithashtu ka marrë ndihmë për veprën penale edhe nga një pronar kompanie. Për më tepër, prokurimet publike nuk ishin as ekonomike dhe Rashkovski ka dhënë udhëzime se si të përgatisin specifikimet teknike.
Gjatë procedurës së prokurimit publik, komunikimi nuk është kryer duke përdorur mjete elektronike përmes Sistemit Elektronik të Prokurimit Publik (SEPP), por personalisht, ka përcaktuar specifikime teknike që i referohen një patente të veçantë …”, theksojnë nga Prokuroria Publike.

Në këtë mënyrë, të dyshuarit kanë futur në xhepat e tyre gati 300,000 euro. Rashkovski nga qershori 2017 deri në maj të këtij viti hodhi në qarkullim më shumë se 87,000 euro prej tyre. Ndërkohë, ai fshehu origjinën e parave duke i vendosur në llogaritë e të afërmve të tij. Me këto para ka paguar edhe kredi. Prokuroria kërkon që Rashkovski të qëndrojë në arrest shtëpie dhe prona e tij të ngrihet. Aktakuza gjithashtu thotë se për më shumë se 21,000 euro, u dëmtua arka e shtetit për honorare që i ka angazhuar Rashkovski, por që nuk kanë punuar asgjë, mirëpo rregullisht i kanë dhënë një pjesë të honorarit.