Ramushi President, Albini kryeministër, Vjosa kryeparlamentare, plani shpëtimtar për Kosovën

Zëvëndësministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gani Dreshaj thotë se treshja Haradinaj-Kurti-Osmani mund të sjellë stabilitet dhe zhvillim në vend. Dreshaj ka kritikuar udhëheqësinë aktuale të LDK-së për të cilën thotë se nuk përfaqësojnë trashëgëminë e ish-presidentit Rugova.

“Kosova aktualisht dhe në muajt e ardhshëm pritet të ketë probleme serioze ekonomike. Pandemia ka ç’orientuar totalisht ekonominë e vendit dhe duhet një plan konkret për të dal nga kjo situatë. Mendoj që AAK ka një plan konkret e serioz në këtë drejtim. Siguria është një faktor që poashtu do të ndihmonte rritjen ekonomike dhe zhvillimin e Industrisë” ka thënë Dreshaj.

Ai ka deklaruar se projekti i Kosovës është i nisur nga çlirimtarët dhe presidenti Rugova, por që rruga më pas ka devijuar në çarqet partiake.

“Udhëheqësia aktuale e LDK-së nuk është zgjidhje, ngase po rrënohet LDK-ja e parimeve të Rugovës dhe se kjo udhëheqësi nuk përfaqëson asgjë nga ajo që kishte mbjellur presidenti Rugova. Në anën tjetër PDK aktualisht nuk ka ADN-në e saj, Thaçin e Veselin që sigurisht se është një mungesë e madhe për ta si parti, po edhe për vendin. Më vjen keq që 20 vite pas lufte, ata përpëliten në burgje e gjykata në misionin e tyre për mbrojtje të atdheut” ka thënë Dreshaj. Sipas Dreshajt, ardhja e Haradinajt president do të ishte zgjidhje ideale për vendin.

“Ramush Haradinaj president, do të ishte zgjidhje ideale për vendin, si në planin e Mbrojtje, Zhvillimit Ekonomik e Diplomatik, ashtu edhe në unifikimin e qytetarëve për të mirën e përbashkët, shtetin dhe atdheun. Ramush Haradinaj president, Albin Kurti kryeministër dhe Vjosa Osmani kryeparlamentare do të ishte shpresë për vendin” ka thënë Dreshaj./Indeksonline