Ramiz Kelmendi: Me liberalizimin do të ketë ikje të punëtorëve e ulje të konsumit


Biznesmeni Ramiz Kelmendi ngre alarmin se me liberalizimin e vizave nga ky muaj shumë qytetarë do të ikin nga vendi dhe pretendimet e tij janë që do të krijohet një vakum në shoqërinë tonë. Kelmendi përmend dy çështje elementare që do të kenë impakt nga liberalizimi i vizave.
Ai përmend se do të ketë ulje të prodhimit, duke filluar me bukën e përditshme për qytetarët.

Përveç kësaj pronari i Elkos Group, Ramiz Kelmendi, thotë se nga ky muaj bizneset do të vuajnë nga mungesa e fuqisë punëtore.

Afaristi Kelmendi në një intervistë për KosovaPress fajëson qeverinë për ikjen e të rinjve nga vendi, sipas tij është një dështim politik që duhet të turpërohen të gjithë.

Si biznesmen, Kelmendi shprehet i shqetësuar edhe me mungesën e komunikimit me institucionet shtetërore, derisa shton se shteti nuk ka ofruar as mbështetje për këtë sektor.

Ai iu bënë thirrje institucioneve shtetërore që të ndryshojnë qasjen ndaj bizneseve.

Ai konsideron se shteti duhet të përmirësojë politikat e të bërit biznes në mënyrë që të vijnë sa më shumë investitorë të huaj në vend.

I pyetur nëse kanë pasur probleme me import dhe eksport, Kelmendi thotë se problemet janë të shumta, mirëpo dëgjueshmëria e tyre nga institucionet përgjegjëse është e vogël.

“Në mënyrë që të rritet prodhimtaria, duhet institucionet t’i dëgjojnë kërkesat tona“, deklaron Kelmendi.

Kelmendi thotë se derisa s’ka rritje ekonomike, nuk mund të ketë as rritje të numrit të punëtorëve.

Në fund, Kelmendi kërkon nga qeveria që të mos ndërhyjë në të bërit biznes tek bizneset, pasi që sipas tij, kjo po i dëmton ato.

“Në momentin që politika nuk përzihet në ekonomi, gjithmonë bërja e biznesit është e suksesshme“, thotë ai.