Ramë Bllaca, heroi që bëri copë- copë marrëveshjen për çrrënjosjen e shqiptarëve në mes të parlamentit të Beogradit

Nuk janë vetëm veprat e jashtëzakonshme që e bëjnë dikë hero! Janë edhe gjestet që kur bëhen në momente vendimtare, e ngrisin dikë në nivelin e heroit. Një gjest i tillë lidhet me Ramë Bllacën, i cili sot pak njihet, sidomos nga gjeneratat e reja.

Nga Blerim Latifi

Dhe cili është gjesti i Ramë Bllacës?

Është vera e vitit 1937! Qeveria serbe dhe ajo turke janë në përfundim të marrëveshjes dypalëshe me anë të së cilës Serbia organizon shpërnguljen e përgjithshme të shqiptarëve nga Kosova, ndërsa Turqia merr përsipër t’i pranoj ata në territorin e saj.

Ishte një kohë kur marrëveshje të tilla për zhvendosje popullatash, nuk përbënin skandal ndërkombëtar. Pak vite më parë Turqia dhe Greqia kishin këmbyer miliona qytetarë të njëra – tjetrës. Stalini ishte në kulmin e fushatës së spastrimeve të mëdha, gjatë së cilës dhjetëra popuj në Bashkimin Sovjetik kishin humbur atdheun e tyre. Në Gjermani, ndërkaq, Hitleri po bëhej gati për zgjidhjen finale të Çështjes Hebreje. Gjithandej Europës po frynte era e gjenocideve.

Në Beograd e kishin kuptuar se kjo ishte koha më e përshtatshme për deshqiptarizimin total të Kosovës; askush nuk do ta kundërshtonte planin, ndërsa qeveria e Tiranës ishte tepër e dobët për t’iu kundërvënë atij. Ekspertët nacionalistë serbë, në krye me Çubrilloviqin, kishin bërë gati planin teknik të operacionit të shpërnguljes. Çdo gjë rreth planit po ecte si është më se miri dhe tani ishte momenti të thirrej seanca e Parlamentit në Beograd ku do të miratohej plani dhe Marrëveshja Serbo-Turke, ashtu siç miratohen të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare.

Në Parlament ishin disa shqiptarë dhe vetëm njëri prej tyre u ngrit për të kundështuar marrëveshjen. Ai ishte Ramë Bllaca nga Suhareka. I emocionuar prej faktit se ajo çfarë po ndodhte aty ishte hiç më pak se prologu i çrrënosjes së popullit të tij, ai e mori tekstin e marrëveshjes dhe në foltoren e parlamentit e bëri copë – copë atë.

Në sallë u krijua rrëmujë, ndërsa Ramë Bllaca u largua nga aty, me vetëdijen e plotë se orët i kishte të numëruara. U nis menjëherë drejt Kosovës, ngase nuk donte që të vritej në Beograd, dhe pa arritur mirë në fshatin e tij, ai u qëllua për vdekje nga dy shqiptarë të paguar nga regjimi, me qëllim që vrasja të dukej si rezultat grindjesh mes shqiptarësh. Kjo ndodhi, si sot 82 vjet më parë, me 27 Gusht të vitit 1937, 6 muaj pas elaboratit të Vasa Çubrilloviqit për Shpërnguljen e Shqiptarëve.

Versioni zyrtar i vrasjes mbushi gazetat në gjuhën serbe dhe i njëjti zuri vend në raportet e ambasadave në Beograd, ndërsa e vërteta mbi këtë vrasje mbeti të ruhej në vargjet e rapsodëve popullorë, të cilët e këndonin fshehtas atë, derisa erdhën stuhitë e Luftës së Dytë Botërore, të cilat i bënë pluhur e hi qeverinë fashiste të Beogradit dhe planet e saj për çrrënjosjen e shqiptarëve të Kosovës.