Nermin Bishevac që nga e shtuna, kur u kthye nga Gjermania, është vendosur në karantinë shtetërore në hotelin “Molika” në Manastir. Ushqimi që ofron hoteli sipas tij është i pangrënshëm, ndërsa i ka ndodhur t’u jepen gjëra të mykura.
“Ushqimim nga dita në ditë bëhet keq e më keq! Ashtu para dy tre ditësh na sollën jogurt që është aq i tharët që as s’mund ta fusësh në gojë e jo më ta pish! Sot na sollën ajkë të cilën disa që nuk e dalluan e hëngrën, pra të gjitha ajkat të mykura”, tha Nermin Bishevac, qëndrues në karantinë shtetërore.
Për këtë edhe është ankuar tek personeli i hotelit por prapë nuk beson se do të përmirësohen.
“Thuajse gjysma që jemi këtu në karantinë jemi me Ramazan, pra agjërojmë. Ata thonë se sjanë me afat të skaduar, por ama gjitha janë të prishura. Tani kur u ankuam për këto ajkat, na sollën nga një kroasant, ujë shtesë dhe banane që të justifikoheshin për atë megjithatë nuk besoj se do të bëhet diçka më mirë. Buka është katastrofë, nuk hahet, bukë bajate, mendoj se ka mbetur para vendimit për karantinë”, tha Nermin Bishevac, qëndrues në karantinë shtetërore.
Televizioni 21 përmes telefonit komunikoi me Sekretarin Gjeneral të Qeverisë Dragi Rashkovski. Shkurt na tha se ndonëse qeveria është kompetente për përcaktimin e karantinave shtetërore, nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për ushqimin. Për këtë pjesë na tha se duhet të përgjigjet menaxhmenti i hotelit përkatës. TV21 provoi të kontaktojë me hotelin në numrin që kishin vendosur në Facebook, por askush nuk u përgjigj.