Rama, Vuçiq, Kovaçevski dhe Abazoviç në Beograd


Krijimi i një tregu të përbashkët rajonal për energjinë elektrike është më se i domosdoshëm për të tejkaluar krizën e shkaktuar me energjinë elektrike. Ky ishte konkluzioni i përbashkët i të gjithë liderëve të Ballkanit perëndimor në takimin që patën në Beograd me qeverinë e Norvegjisë.

“Përfundimi ynë është që të vendosim treg rajonal dhe aty të mundohemi të ndihmojmë njëri-tjetrin në stina të ndryshme, sepse ndonjëri prej nesh ka teprica gjatë dimrit, disa gjatë verës, disa të tjerë kanë mundësi më të mëdha dhe kapacitete më të mëdha për furnizim me gaz, dikush ende nuk i ka ndërtuar gazsjellësin, por për çdo rast mund të ndihmohemi shumë dhe vetëm nëse bashkëpunojmë mund ta sigurojmë të ardhmen tonë”- deklaroi Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë. Njëjtë mendon edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

“Nuk ka asnjë dyshim se në këto kohë kaq të vështira ajo çfarë kemi thënë më parë kur nisëm “Ballkanin e hapur” dhe kur nxitëm për një bashkëpunim më të gjerë rajonal bëhet gjithmonë e më e dukshme. Na duhet të rajonizojmë tregjet tona dhe sa i takon energjisë ne duhet të shkojmë përtej kufijve tanë sepse në të kundërtën ende mbetemi tregje të vogla. Ajo që na duhet e për të cilën kemi nevojë nëse trajtohet në mënyrë të izoluar do të jetë shumë më tepër e kushtueshme.”- pohoi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Në konferencën e përbashkët kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pohuan se janë afër një marrëveshjeje për shfrytëzimin e tepricave të gazit natyror të Serbisë në centralin tonë të gazit për prodhim të energjisë elektrike.

“Unë dhe presidenti i Serbisë, biseduam për përpjekjet tona që t’i shfrytëzojmë tepricat e gazit që ka Serbia, ndërsa duke pasur parasysh që Maqedonia e Veriut ka impiant të gazit, të bëjmë marrëveshje që gazi me çmim më të mirë nga ajo që ishte në bursat botërore të sjellët në Maqedoninë e Veriut e cila pastaj do të shndërrohet në energji dhe do të ndahet mes Maqedonisë dhe Serbisë. Në këtë mënyrë industria jonë do të fitojë energji më të ulët nga ajo që e merr në bursa, ndërsa Serbia do të mund t’i kompensojë mungesat e veta për energji elektrike posaçërisht në pjesën jugore të vendit.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i vendit. Liderët e Ballkani perëndimor u ankuan se vendet e tyre për 30 vite kanë investuar shumë pak në objektet për prodhimin e energjisë elektrike.

“Qysh prej kohës së Jugosllavisë nuk është se kemi ndërtuar objekte thelbësore të rëndësishme energjetike, kanë qenë disa por jo shumë të mëdha. Ideja është që të kemi një ndërtim aktiv të objekteve energjetike sidomos kur vjen fjala për impiante diellore, parqe të energjisë së erës, gjithashtu edhe një impiant për gazi natyror në portin e Barit që do të lidhej me impiantet të cilat do të prodhojnë energjinë e gazit”- tha Dritan Abazoviç, kryeministër i Malit të Zi.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë rreth 60% te energjisë elektrike prodhohet nga termocentralet dhe duke pasur parasysh idetë e tanishme, dimë që është miratuar agjenda e gjelbër e BE-së dhe kështu duhet ta ndryshojmë edhe në pozicionin tonë dhe të ecim në këtë drejtim. Jemi të vetëdijshëm për faktin se na duhet t’i zgjidhim këto probleme dhe na duhet bashkëpunim rajonal mes vendeve tona për t’i zgjidhur ato”- tha Zoran Tegeltija, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.

Në konferencën mes Norvegjisë dhe Ballkanit perëndimor nuk ishte e pranishme Kosova. Pas këtij takimi, krerët e Ballkanit perëndimor do të duhet të hyjnë në bisedime me qeverinë e Oslos për të mundësuar mbështetje financiare dhe afrim të kompanive private për të investuar në energjinë e rinovueshme në Ballkan.