Rama: “Veriu i Kosovës është bërë tokë e askujt”


Kryeministri shqiptar Edi Rama e ka cilësuar “një pikë të nxehtë” veriun e Kosovës, në një intervistë për gazetën prestigjioze ndërkombëtare Financial Times.

Shefi i qeverisë shqiptare i cili së fundmi ka shtuar thirrjet ndaj NATO-s për marrje nën kontroll të pjesës veriore të Kosovës, po ashtu ka thënë se “me kalimin e viteve, veriu i Kosovës është bërë tokë e askujt”.

“NATO duhet të rivendosë kontrollin e veriut të Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon, sipas kryeministrit të Shqipërisë”, shkruan Financial Times.

“Veriu i Kosovës është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, ka thënë Rama për Financial Times.

Rama u ka bërë thirrje liderëve perëndimor për të zgjidhur “çmendurinë e pafund” ndërmjet vendeve të Ballkanit.

Të hënën, gjatë një vizite në Zagreb, Rama kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të merren masa ndaj Beogradit për sulmin terrorist në veri të Kosovës.

Ai tha se agresioni i “forcave paramilitare është po aq shqetësues sa vetë reagimi i Beogradit”, sipas Radio Televizionit të Kroacisë (HRT).

Thirrja e tij erdhi një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.