Rama: Serbia nuk po shkon drejt Rusisë, mori anën e Perëndimit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, shprehet se rajoni i Ballkanit Perëndimor është “i pambrojtur” nga ndikimi rus ndaj ekziston rreziku për destabilitet.

“Rajoni është i pambrojtur sepse ndikimi rus është shumë i fortë, jo në Shqipëri, por në Bosnje, Mal të Zi dhe veçanërisht në Serbi”, tha Rama.

I pyetur nëse Shqipëria do të ndryshojë qëndrim për tendencën pro ruse të Serbisë, Rama tha se do ta kishte ndërprerë bashkëpunimin në rast se do të dilte kundër Perëndimit në OKB.

“Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Është një shenjë shumë e mirë që Serbia votoi tre herë kundër Rusisë. Nëse Serbia do të kishte bërë të kundërtën, do të ishte një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë”, u shpreh Rama.