Rama: Po i dalin lakrat në shesh njerëzve me kostume zyrtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se gjithçka po del në pah rreth punonjësve zyrtarë dhe kjo është falë rezultateve të reformës në drejtësi.

“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që reforma në drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin. Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit”, shkroi Rama në Twitter.

Sipas tij, më parë policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë “lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostume zyrtare”, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë.

Rama u shpreh se askush nuk ka më një mburojë politike.

“Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdo qoftë”, shtoi ai.