Rama për BBC: SHBA dhe BE kanë tërësisht të drejtë, Kurti jo


SHBA-të dhe Bashkimi Evropian duan ta çojnë Kosovën në një tjetër nivel dhe për këtë arsye, ato kanë tërësisht të drejtë mbi zhvillimet e fundit të ndodhura në komunat veriore, dhe jo Albin Kurti.

Është kjo fjala që përshkruan gjithë situatën e ndodhur në javën e fundit sipas kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ka folur mbi temën në median shtetërore britanike BBC dhe është pyetur aty për një sërë problematikash lidhur me çështjen.

Ajo që është e qartë gjithsesi, sipas Ramës, është fakti se SHBA-të dhe BE-ja, janë ato të cilat duan ta çojnë Kosovën në një nivel tjetër. Ta kthejnë në një shtet të njohur nga të gjithë, që mund të ulet në Kombet e Bashkuara dhe çdo institucion tjetër ndërkombëtar.

Ndaj, qëllimi madhor i gjithë palës perëndimore, e tejkalon një kauzë të drejtë, por jo aq largpamëse, sa ajo e Kurtit, i cili ka treguar vendosmëri duke inkurajuar kryetarët e rinj të zgjedhur në katër komunat veriore me shumicë serbe, të futen në godinat e institucioneve.

Kjo, pavarësisht se zgjedhja e tyre u bë me një përqindje shumë të vogël votash, pasi serbët e bojkotuan procesin.

Rama gjithsesi nuk e përligj këtë sjellje të palës serbe.

“Për të qartësuar, ishte shumë mirë që patën zgjedhje dhe që u tregua se asnjë s’mund ta cenojë demokracinë në Kosovë. Por nuk ishte mendim i mirë insistimi që kryetarët e rinj të futeshin në ato godina dhe të nxitej dhunë, ku u dëmtuan edhe ushtarë të KFOR-it në mënyrë të padrejtë”, theksoi kryeministri.

Ndaj mbi gjithë situatën, kryeministri nuk i vendos një faj konkret homologut të tij, Kurtit, por e sheh si thelbësore të shihet korniza më e gjerë.

Kjo kornizë e gjerë, është fakti se Kosova dhe Serbia, falë Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiç, janë shumë pranë një marrëveshjeje.

Duke qenë se kjo marrëveshje me qëllim final njohjen e plotë, i ka frustruar të dy dhe janë si një çift në derën e kishës, duke u martuar, por që kanë mendime të dyfishta në mendje, situata ndërlikohet në këtë mënyrë të dëshmuar.

Por, sërish, nuk ka asnjë dyshim për Ramën, ku ai i referohet edhe gjithë liderëve evropianë në bindjet e tyre, se marrëveshja do të ndodhë, por çështja është kur.

“Të gjithë liderët që takuam në Moldavi ishin të qartë se të dy palët duhet të ulen një herë e mirë dhe ta mbyllin marrëveshjen”, shtoi më tej kreu i Qeverisë shqiptare, duke e përmbyllur edhe mendimin se finalizimi i saj, është akti i vetëm i duhur për dy shtetet që të vijojnë përpara rrugën e integrimit evropian.