Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e megjithatë Kosova e ka mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Kështu deklaroi kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili ndodhet për vizitë në Ukrainë së bashku me homologun malazez, Dritan Abazoviç.
Rama tha se pesë shtete të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që të gjitha e mbështesin Ukrainën në këtë luftë, duke përfshirë edhe Serbinë, e cila mbetet vendi i vetëm në Evropë që në të vërtetë nuk i ka vënë asnjë sanksion Rusisë.
“Ballkani Perëndimor ka 5 vendeve në Kombet e Bashkuara, të gjitha ato janë rreshtuar krah Ukrainës, pavarësisht historisë së ndryshme, pavarësisht kontekstit të ndryshëm, pavarësisht marrëdhënieve të ndryshme me Rusinë sepse është krejt ndryshe se si e shohim botën përkundrejt Rusisë në qoftë se merrni për shembull Shqipërinë dhe Serbinë apo Malin e Zi dhe Bosnjën. Por të gjitha janë në mbështetje. Por ka edhe një vend të gjashtë, që Ukraina nuk e ka njohur. Kosova, e cila pavarësisht kësaj po bën saktësisht të njëjtën gjë që po bëjmë të gjithë me mbështetjen e plotë. Do të thotë që këtu jemi në një linjë të mirëpërkufizuar të çka jemi e çka përfaqësojmë ne. Është gjëja e duhur për t’u bërë”, tha Rama.
Rama deklaroi se Shqipëria mbështet kërkesën e Ukrainës që Bashkimi Evropian t’i japë statusin e vendit kandidat.
“Gjendemi këtu të shprehim mbështetjen e plotë të kërkesës që BE t’i japë Ukrainës statusin e vendit kandidat. Bashkë me Dritanin dhe Dimitrin, jemi të lumtur të bashkojmë emrat tanë me tuajin, në këtë deklaratë të përbashkët”, tha Rama.
Rama njëkohësisht shprehu solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës. Ai tha se kishte hezituar të vizitonte Kievin, pasi, siç u shpreh ai, përmasat e tmerrit janë të skajshme dhe mundësitë që ka Shqipëria për të ndryshuar fatin e kësaj lufte nuk janë aspak të mjaftueshme.
“Por në të njëjtën kohë, nuk mund të mos i përgjigjesha ftesës suaj e të humbnim këtë moment me Ju. Ju jam mirënjohës për mikpritjen bujare dhe për dëshirën për të ndarë me ne një pjesë mjaft të vogël të realitetit, që më parë e kemi parë përmes fotove”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama shprehu mbështetjen e plotë për dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën, ndërsa theksoi se edhe Shqipëria është plotësisht e angazhuar ndaj rrugëtimit europian, pavarësisht se BE nuk e ka mbajtur fjalën.
“Nuk duam që askush të spekulojë me faktin që BE nuk e ka mbajtur fjalën për ne dhe ndoshta nuk do të ndjehemi mirë që realizon diçka për Ukrainën. Jo nuk është kështu! Këto janë dy çështje krejtësisht të ndara. Natyrisht ne nuk jemi të kënaqur me BE-në dhe ky nuk është sekret. Por ndërkohë, jemi plotësisht të angazhuar ndaj rrugëtimit europian jo për shkak të Parisit, Londrës apo Brukselit, por për shkak të së ardhmes së brezave tanë të ardhshëm”, tha Rama.
Kryeministri foli dhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.
“Jam krenar të ndaj me Ju edhe publikisht që Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe bashkënismëtare me SHBA për rezolutat për Ukrainën është tejet e privilegjuar t’i japë zë rreth asaj tryeze shqetësimeve dhe kërkesave të popullit ukrainas për një paqe të drejtë”, deklaroi kryeministri.
Rama edhe në takimin me homologun e tij ukrainas, Denys Shmyhal në kuadër të vizitës së tij në Kiev kërkoi që Ukraina të konsiderojë njohjen e Kosovës. Kreu i qeverisë shqiptare tha se Kosova e meriton një gjë të tillë, pasi nuk mbetën peng i së shkuarës.
“Ju të rikonsideroni njohjen e Kosovës pasi ata njerëz e meritojnë, ata realisht dëshmuan diçka të jashtëzakonshme sepse nuk mbetën peng i së shkuarës për të kujtuar sesi u soll Ukraina kur Kosova sulmohej. Kjo do të ishte mirë që Ukraina ta rikonsideronte dhe të përçonte mesazhin e duhur në emër të komunitetit të ri politik evropian”, tha Rama. Fjalën e kreyministrit Rama, në konferencën për shtyp pas takimit me presidentin ukrainas, mund ta ndiqni në videon më poshtë.