Rama – Kurtit: Mund t’u shesësh iluzione votuesve, por lufta diplomatike me Serbinë s’fitohet duke u izoluar nga aleatët e mëdhenj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama foli për “dritëshkurtësi strategjike” e “papërgjegjshmëri kombëtare”, duke shprehur dallimet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në një seancë të Kuvendit në Tiranë, ku po diskutohet për zhvillimet e fundit në veri.

Pa ia përmendur emrin, Rama i dërgoi gjatë mesazhe të vazhdueshme Kurtit për “qëllimin ekzistencial të Kosovës”.

Formësimi i plotë i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, Rama tha se “kalon vetëm dhe vetëm përmes shtegut të vështirë të dialogut, normalizimit dhe paqes përfundimtare me Serbinë krah për krahë me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian dhe nga asnjë shteg tjetër”.

Rama tha se çdo gjë tjetër, është thjesht elektorale dhe se e shtyn pafundësisht plotëformimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Mund të ju shiten iluzione votuesve për zgjedhjet e radhës duke ua marrë mendjen me fabulën politike se si Kosova u çlirua nga Hashimi apo se si po mbrohet Kosova në llogore nga Serbia dhe nga perëndimorët mendjelehtë që s’e kuptojnë Serbinë dhe që kanë harruar këtë e atë, edhe vetë historinë e tyre… me këto plotëformimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk arrihet kurrë, përkundrazi, shtyhet pafund”, tha kryeministri shqiptar.

Rama foli për “teoricienët dhe praktikanët e patriotizmit elektoral”, duke i thënë në këtë mënyrë Kurtit se s’duhet të barrikadohet politikisht.

“Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke u izoluar nga aleatët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët UÇK-ja nuk do ta kishte fituar kurrë luftën e Kosova nuk do të ishte njohur kurrë si shtet nga thuajse gjysma e botës, dhe fatkeqsisht kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë fitohet duke nxitur armiqësi ndaj Qeverisë së Shqipërisë, e pastaj edhe ndaj meje personalisht”, tha ai.

(https://www.lifesecure.com/)