Rama: Konflikti Kosovë-Serbi nuk duhet ta mbajë peng rajonin, s’kemi pse presim BE-në


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë Forumit të Prespës në Ohër bëri thirrje për një bashkëpunim më të madh mes vendeve të rajonit, në mënyrë që siç tha të mos mbeten peng i vendimmarrjes së Bashkimit Evropian dhe konflikteve të vjetra.
Teksa risolli në vëmendje konfliktet që ende ekzistojnë në rajon, siç është ai mes Kosovës dhe Serbisë, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se ky konflikt nuk duhet të pengojë vendet e tjera të rajonit që të zhvillohen.

“Kemi probleme në këtë rajon, kemi konflikte që duhet të zgjidhen, megjithatë ajo që mban konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet t’i mbajë edhe vendet e tjera të pazhvilluara.
Dhe derisa përpiqemi ta zgjidhim këtë konflikt, ka shumë çështje të tjera që mund të bëjmë bashkërisht, edhe kjo bëhet edhe më pak e vështirë të zgjidhet si çështje”, u shpreh kryeministri Rama.