Rama këshillon sipërmarrësin: Merr punëtorë nga Bangladeshi, s’merren as me thashetheme

Pronari i fasonerisë në Shkodër i tha kreut të qeverisë Edi Rama se sipas tij, nuk ka fuqi punëtore. Rama u shpreh se me ligjin për të huajt mund të marrë punëtorë të huaj nga Bangladeshi, Afganistani dhe India.

“Ne kemi kaluar ligjin e ri për të huajt që është shumë i thjeshtë. Nuk ka më fare nga ato procedurat e tmerrshme. 7 ditë është procedura për të marrë punëtorë të huaj. Me këtë pagë që ke ti këtu i ke të sigurt punëtorët e huajt nga Bangladeshi nga Afganistani, nga India. I ke pronto, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se i futet krimbi, jo politika, jo demokracia jo më the të thashë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se synohet krijimi i markave “Made in Albania” për të dalë në treg me çmime më të ulëta.
“Sfida është me kaluar “Made In Albania”. Të kesh stilistët e tu. Me një grup dizanjerësh të mirë ti del në treg me çmime të ulëta. Kjo është lufta e planit të veprimit që kemi tani. Gjëja që mendoj unë. Unë i kam ndjek shumë historitë e modës, se kam ato historitë e mia me çitjanet.

Ne ju japim një financim dhe ndërkohë në çdo ndërmarrje krijohet një klasë dhe merr të rinj nga shkolla dhe i fut në punë si asistentë. Në momentin kur njëri dallohet e largon të huajin i thua ja ku e krijova dizanjerin tim”, deklaroi Rama.