Kryeministri Edi Rama ndërsa ka folur për platformën ‘Anti-KÇK’ ku tha se tashmë janë më gati se kurrë të përballen me krimin nga Reparti Renea theksoi se ky ligj do të jetë ferri për të gjithë ata kriminelë që ekspozojnë muskujt të cilët sipas tij “nuk meritojnë të ecin as mbi gomar, jo dhe më tek makinat e blinduara. Pasi fyejnë dhe gomarin”.
Ndërkaq Rama tha se subjekt i ligjit do të jenë edhe gjykatat e korruptuara që kanë lënë të lirë kriminelët e arrestuar, pa i hyrë gjë në këmbë.
“Kemi forcat e duhura për të bërë një ndryshim historik në marrëdhënie me krimin në hapësirat e territorit tonë. Duhet t’ja u bëjmë të parehatshëm Atdheun atyre që janë subjekte të këtij ligji special. Atdheu për ta nuk mund të jetë sheshi për të bërë përshesh.
Nuk mund të jetë shteti ndërtimit për vilat dhe bizneset e tyre që nuk burojnë nga puna, por burojnë dhe nga gjaku i komisarëve dhe policëve të vrarë. Nuk mund të jetë platforma e ekspozimit të muskujve në klube dhe hapësira të tjera publike ku të rinjtë dhe familjet mblidhen më të drejtën e tyre për të kaluar.
Por duhet të jetë ferri i tyre. Ata nuk meritojnë të ecin as mbi gomar, jo dhe më tek makinat e blinduara. Pasi fyejnë dhe gomarin. E dinë drejtues të Policisë së Shtetit se sa shumë herë subjekte të këtij ligji sot janë hetuar dje, janë ndaluar, janë çuar dje para gjykatave dhe i kanë nxjerrë gjuhën të gjithë sakrificave dhe të gjithë besimit tuaj në shtet, duke dalë përsëri të lirë, pa i hyrë gjë në këmbë. Sot janë subjekte të ligjit. Jo vetëm ata që janë dënuar, por dhe ata që janë lënë të lirë. Do duhet të paraqisni prova të pasurisë së tyre”, tha Rama.