Rama: “Jam i trishtuar me BE, t’i japë fund bllokimeve”

Zemëratën që ka ndaj Unionit, por edhe Bullgarisë, e cila për një çështje biltarele me Maqedoninë e Veriut vendosi me shpatulla pas murit 27 vende anëtarë të BE-së me veton bllokuese për hapjen e negociatave ndaj dy vendeve, Edi Rama s’e fshehu edhe në një intervistë dhënë për Francë24.

“Ky është spektakël fuqie e duhet të gjendet një rrugë për t’u shkëputur nga kjo. Nuk duhet të bëhet mekanizëm për marrjen peng të disa vendeve për arsye të brendshme të një vendi apo të një tjetri. Është e vërtetë, isha i zemëruar, por isha i zemëruar me Bullgarinë. Po, jam i trishtuar, por në këtë rast jam i trishtuar për Bashkimin Evropian jo për Shqipërinë. Është njëlloj fuqie që të frikëson.”

Mbështet propozimin e bërë nga Presidenti Macron për fillimin e një komuniteti politik europian, një entitet i ndryshëm nga ai i BE-së që do mundësonte forcimin e lidhjeve mes vendeve joanëtare, por se fsheh aspak spekticizmin e Francës ndaj zgjerimit.

“Kjo ide është e duhura, kjo është ajo çfarë duhet në këtë moment, sepse nuk mund të themi zgjerim, zgjerim, zgjerim dhe veçse për zgjerim apo për t’u zgjeruar nuk flitet. Nuk është hera e parë që një president francez hedh ide të tilla, edhe Nicolas Sarkozy foli për qarqe, nuk është sekret që Franca nuk është një vend shumë entuziast për zgjerimin, te kërkosh në Francë një konsensus për zgjerim është si të kërkosh arin në shkretëtirën e Arabisë Saudite, por nga ana tjetër ka shumë kuptim.”
Mohoi që shkak i mosndezjes së dritës jeshile të jenë problemet me shtetin e së drejtës dhe mos avancimi i Reformës në Drejtësi.

“Shqipëria është në pararojë të vendeve të rajonit. Ne vazhdojmë zbatimin e Reformës në Drejtësi, që është konsideruar nga të gjithë si një model”. Dhe si shembull të funksionimit të Reformës në Drejtësi solli proceset gjyqësore të nisura ndaj funksionarëve të lartë brenda radhëve të mazhorancës.

“Sot nuk ka vetëm një rast, por disa raste. Ne kemi marrë përsipër sfidën e madhe për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe e kemi thënë. Nuk e reformojmë për të thënë tanët janë të paprekshëm e tuajët janë të dënueshëm. Kjo reformë është për të gjithë. Për këtë arsye në Shqipëri ka sot një sistem drejtësie që ka nisur të bëjë hetime, por nuk është ende ne standardet e një vendi të BE-së, siç është Franca. Ka një sistem drejtësie, i cili mund të bëjë hetime dhe procese gjyqësore për cilindo.”

Rama komentoi edhe vendimin e Unionit për dhënien e statusit të vendit kandidat të Ukrainës e Moldavisë, duke e cilësuar si një proces që ndihmon në optimizmin e dy vendeve, të cilat sipas kryeministrit kanë një rrugë të gjatë përpara.