Rama i nxjerr shifrat kosovarëve që shkuan në Shqipëri, thotë se Aeroporti i Tiranës e mundi për herë të parë aeroportin e Beogradit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë shifrat e hyrjeve në Shqipëri, ku ka thënë se ka rritje krahasuar me vitin e kaluar si nga hyrjet përmes aeroportit ashtu edhe nga kufiri në Morinë.

Rama ka thënë se nuk qëndron ajo se kosovarët kanë braktisur Shqipërinë, ku tha se sivjet kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë se vjet nga Morina, raporton Express.

“Edhe shifrat e hyrjes në Morinë, që i tregon regjistri elektronik i pagesës së Autostradës ku lexohet cdo hyrje, tregojnë se gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë se vjet. Ndërsa në korrik, 3 mijë më shumë se korrikun e shkuar. Edhe ajo teoria keqdashëse e përhapur këtë sezonë nga ca teori tjera për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë, është një zero me xhufka”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, nga Aeroporti tha se kanë hyrë mbi 1 milion e 200 mijë pasagjerë dhe se sivjet është thyer edhe rekordi i hyrjeve në një ditë.

“Mbrëmë mora të dhënat e hyrjes në Shqipëri nga Aeroporti “Nëna Tereza” dhe kufiri i Morinës dhe mu duk e udhës që t’I ndaj me ju. Nga Aeroporti kanë hyrë thuajse 1 milion e 200 mijë pasagjerë. Mbi 350 mijë më shumë se vjet. Këtë korrik është thyer edhe një rekord tjetër, ai i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë”, deklaroi Rama.

Madje, shtoi se për herë të parë Aeroporti i Tiranës ka mundur Aeroportin e Beogradit për numër pasagjerësh.

“Tirana e ka spostuar në vendin e dytë Aeroportin e Beogradit, i cili historikisht ka qenë i pari dhe absolut në rajon”, tha Rama.