Thellimi i bashkëpunimit në rrugën e eurointegrime dhe në projektet ekonomike, ishin temat kyçe për të cilat diskutuan kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sot në Tiranë, Edi Rama dhe Zoran Zaev. Rama, në konferencën e përbashkët për media tha se ky është një moment i veçantë kur shkohet drejt pragut të shumëpritur të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Ai tha se puna e përbashkët që po bëjnë dy vendet, shkëmbimi i ekspertizës, përvoja e krijuar dhe e bashkëndarë hap pas hapi ndihmojnë jashtëzakonisht shumë. Ai po ashtu, falënderoi publikisht dhe shprehu mirënjohjen për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në lidhje me zbatimin e ligjit të gjuhëve.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë
“Ju jam mirënjohës për faktin se me një kurajo të pazakontë dhe me një vision largpamës ju çelët rrugën e një harmonie të munguar dhe aq të domosdoshme në shtetin tuaj mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Për ne, seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip ishte simbolikisht e përmbajtësisht moment historik dhe arsyet më shumë që të jemi promotorë të fuqishëm të idesë se integriteti dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i republikës sonë.”
Rama po ashtu, deklaroi se kanë rënë dakord për të ecur përpara në një zonë të përbashkët ekonomike duke vlerësuar se mes shteteve të Ballkanit Perëndimor duhet të ketë zonë tranzike – “Zonë Shengen” të shteteve të Bashkimit Evropian, pasi që kjo do t’u mundësonte qytetarëve të lëvizin lirshëm dhe pa viza. Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev tha se, dy shtetet si ekonomi më të fuqishme do të jetë argument plus në aspiratat evropiane. Ai tha se po motivojnë odat e biznesit të dy vendeve në bashkëpunim edhe më të afërt.
Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë
“Vazhdojmë të punojmë me përkushtim edhe në interkonektivitetit, ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, para së gjithash në kuadër të Korridorit 8. Punojmë në rrugë Kërçovë – Ohër, shpreojmë se shumë shpejtë do të fillojmë të punojmë në hekurudhën Kërçovë Lin, që gjithashtu është pjesë e Korridori 8. Por, punojmë dhe jemi në fazën finale të përpunimit të dokumentacionit projektues, për të cilën i dhash fjalën edhe Edit, në drejtimin rrugor, Kërçovë, Dibër, kufiri shqiptar, që po ashtu është një ndërlidhje e rëndësishme për dy vendet tona”.
Dy homologët kanë biseduar për mbajtjen e seancës së përbashkët qeveritare në Shkup.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë
“Ne organizuam përpara 15 muajsh mbledhjen e dy qeverive dhe ka ardhur koha të përgatitemi për të dytën. Natyrisht duke pritur ftesën zyrtare, sepse jeni ju që duhet të na mirëprisni dhe jeni ju qe duhet të paguani shpenzimet e drekës. Besoj që do keni dakordësi të plotë mes partive të koalicionit për të ndarë shpenzimet”.
Rama tha se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm vend fqinj, por edhe mik dhe partner i pazëvendësueshëm strategjik, duke theksuar se vizita e kryeministrit Zaev vjen në momentin e arritjes së rëndësishme historike, siç është Marrëveshja e Prespës dhe hapja e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt NATO-s.