Rama del kundër aleatit historik të shqiptarëve/ Rama refuzon Trump-in: Shumë respekt për Izraelin, por Shqipëria do të ndjekë vijën e BE-së

Edi Rama iu përgjigj kërkesës së presidentit amerikan, Donald Trump i cili në një letër dërguar kreut të qeverisë shqiptare i kërkonte zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem.
I pyetur nga gazetarët për këtë çështje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij Avdullah Hoti, kryeministri Rama tha se Shqipëria në këtë drejtim është në një linjë me politikën e jashtme të vendeve të BE.

Kreu i qeverisë shqiptare tha se kombi ynë historikisht ka pasur marrëdhënie shumë të mira me Irazelin, teksa kujtoi se pas luf*tës Shqipëria ishte vendi që strehoi më shumë hebrenj se çdo vend tjetër në Europë.
“Shqipëria është vendi që ka pasur më shumë hebrenj pas luf*tës sa para luf*tës, i vetmi në Evropë. Është vendi ku hebrenjtë kanë gjetur strehë, mbrojtje dhe siguri aq të madhe sa asnjë hebre nuk i është dorëzuar nazistëve, madje shqiptarët janë dorëzuar tek nazistët duke u paraqitur ata si hebrenjtë që mbanin në shtëpi.

Shqipëria është vendi që ka jo vetëm një lidhje të vjetër, por edhe një respekt të madh për Izraelin. Por Shqipëria në politikën e jashtme në këtë aspekt është komplet e linjëzuar me Bashkimin Evropian”, u shpreh kryeministri Rama.
Në të njëjtën linjë u pyet dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke qenë se zhvendosja e ambasadës në Jerusalem ishte një nga pikat e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator mes Serbisë dhe Kosovë.

Ndryshe nga kryeministri shqiptar, kreu i qeverisë së Kosovës konfirmoi qëndrimin pro amerikan të Kosovës sa i përket politikës së jashtme dhe konkretisht qëndrimit ndaj Izraelit .
“Ne jemi vend i ri, kemi nevojë për njohje. Me marrëveshjen Uashingtonit, veç marrëveshjeve ekonomike, ka ardhur edhe një njohje që është tepër e rëndësishme, pasi hap një perspektivë tjetër në konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në këtë pikë më vjen mirë që në politikën e jashtme ne jemi në një vijë me politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Hoti.

Z.Rama komentoi gjithashtu kërkesën tjetër të presidentit Donald Trump, i cili kërkoi nga vendi ynë të tërhiqet nga marrëveshja 17+1 me Kinën. Ai tha se kjo është çështje që i takon Shqipërisë.
“Jam shumë i kënaqur për vlerësimin tim nga Trump dhe të kësaj qeverie, qoftë në aspektin e rajonit, qoftë edhe në disa qëndrime që janë bindje dhe nuk janë qëndrime oportuniste. Patjetër që SHBA ka qenë dhe është pikë referimi e palëvizshme për ne.

Ne dëgjojmë, respektojmë, dhe vendosim në bazë bindjesh. Ne kemi qartësisht qëndrime të përbashkëta në interesat strategjike. Në këto qëndrime në rastin konkret burojnë nga bindja. Këto janë çështje e jona, dhe si çështje e jona i trajtojmë me shumë kujdes në momentin e duhur gjithmonë në interesat strategjike të Shqipërisë. Në politikën e jashtme jemi të linjizuar me BE-në”, shtoi Rama.