Rama: Basha President, po aq mundësi sa Berisha të fitojë ‘Oscar’


Kryeministri, Edi Rama në përfundim të mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste ka folur për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Për hamendësimet lidhur me mundësinë e zgjedhjes së Lulzim Bashës si kryetar shteti, e përjashtoi në mënyrë kategorike si mundësi.

“Lulzim Basha mund të bëhet President i Republikës me votat e kësaj shumice aq sa Sali Berisha mund të fitojë çmimin Oscar”, tha Rama me ironi.

Rama tha se PS i ka votat dhe nuk varet nga partitë e tjera parlamentare. Fakti shtoi ai që PS ka për herë të parë votat për të zgjedhur vetë një president i jep më shumë përgjegjësi në përzgjedhjen e emrit të presidentit të ri.

Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (84 vota).

Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit (71 vota).

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të qershorit 2021, PS arriti të siguronte 74 mandate në Kuvend.

Mandati i Presidentit aktual, Ilir Meta përfundon më 24 korrik 2022.

Gjatë qeverisjes së PS në periudhën pluraliste, ka zgjedhur tre presidentë; Alfred Moisiu, Rexhep Meidani dhe Ilir Meta.

Moisiu ishte një president konsensual PS-PD, ndërsa Meta me bashkëpunimin PS-LSI kurse Meidani u zgjodh nga vetë PS.