Rama: “Ballkani i hapur, projekt paqeje”

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në “Panairin e verës”, në kuadër të takimit të radhës së “Open Balkan”, që po zhvillohet në Beograd, tha se “Ballkani i hapur është një projekt paqeje”, në mënyrë që “kjo lagje e vogël në mes të Europës të mos vuajë më nga hijet e së shkuarës”.

“Është e qartë që më mirë së bashku, duke afruar njerëzit e duke parë se sa shumë gjëra të përbashkëta kemi si njerëz, sesa ashtu siç kemi qëndruar më parë, me shumë konflikte e luftra në mes. Sot, duke vizituar këtë panair, ku ka prodhues nga shumë vende të tjera, besoj që i kemi dhënë mundësi prodhuesve tanë që jo vetëm të shkëmbejnë eksperiencat me njëri-tjetrin, por i kemi dhënë mundësi edhe tregtarëve të verës jashtë rajonit që të shikojnë kaq shumë prodhime, që do të duhej shumë kohë e udhëtime për t’i shikuar”, tha Rama.
“Jam i bindur që edicioni i parë i këtij panairi do të nxisë edhe shumë të tjerë që të përfshihen në këtë aktivitet”, shtoi kreu i qeverisë.

Sipas kryeministrit, “Ballkani i hapur është një projekt paqeje, një projekt i një vizioni të përbashkët për të ardhmen, në mënyrë që kjo lagje e vogël në mes të Europës të mos vuajë më nga hijet e së shkuarës”. /A2cnn