Rajoni me tre kryeministra shqiptarë, skenari që vjen nga Mali i Zi

Dritan Abazoviç shënoi një fitore të fortë në parlament një ditë më parë, kur nuk u votua shkarkimi i tij, e tani pret të dytën.
Numri dy i qeverisë malazeze inicjoi mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit Zdravko Krivokapiç.

Ky i fundit vetë u shpreh i vetëdijshëm për rënien e qeverisë, e për këtë, drejtoi gishtin e akuzës nga një pjesë e shumicës parlamentare, por edhe nga presidenti Milo Gjukanoviç, i cili nga ana e vet, ka zgjedhur të përkrahë politikanin e ri shqiptar.

Përpara gazetarëve, Abazoviç u shpreh i painteresuar për fatin e tij në parlament: Nuk ka rëndësi sesi votojnë deputetët, e rëndësishme është që Mali i Zit ë ketë një qeverisje europiane, e cila të zhbllokojë rrugën drejt BE-së”, qe shprehur përpara votimit.

Por analistë të ndryshëm mendojnë se nuk janë të vogla gjasat që kreu i Lëvizjes Qytetare të Ura, të përfundojë në poltronën e kryeministrit.

“Ura e Abazoviçit me deputetët e saj lejuan krijimin e kësaj mazhorance. Por në vend të merrej me drejtimin e vendit qeveria aktuale u mor me implementimin e politikave të Aleksandër Vuçiç në Mal të Zi. Kjo e acaroi Abazovicin”, thotë profesor, Enver Bytyçi.

Sipas tij, me mbështetjen e socialdemokratëve në opozitë të Gjukanoviçit, zv/kryeministri mund të marrë frerët e një qeverie të re, e rajoni ynë, për herë të parë, do të ketë tre kryeministra me kombësi shqiptare.