Radusha e harruar nga ndërmarrja e Transportit Publik – Nuk ka autobusë në fshat që nga koha e ish-Jugosllavisë

Radusha është vendi i harruar nga Ndërmarrja për Qarkullim Publik. Asnjëherë në këtë fshat nuk ka pasur autobusë të transportit publik. Banorët ankohen për vështirësitë me të cilat ballafaqohen gjatë lëvizjes fshat-qytet dhe anasjelltas. Mungesa e transportit godet me së shumti nxënësit.

“Me 200 euro rrogë ku mund t’i dërgoj në shkollë fëmijët? Nuk mund t’i dërgoj. Të gjitha çmimet janë rritur, janë bërë shumë të larta. Nuk mund t’ia arrijmë assesi. Dikush i arrin sepse është jashtë vendit në Gjermani, dikush jo, s’ka kapacitet ta dërgon fëmijën në shkollë. Vet nuk mund të shkojë në punë, rrogën të cilën e marr e harxhoj për rrugë.”- thotë një qytetar.

“Prej kur është Maqedonia në vitin 91 e bërë, unë nuk e mbaj mend që ka pasur transport publik në Radushë.
G: A keni kërkuar ndihme nga komuna?
Po kemi kërkuar dhe tash më së voni nëse nuk gaboj para 1 muaj e gjysmë-dy, bashkësia lokale e Radushës ka bërë kërkesë deri atje, e kanë paraqitur janë duke e shqyrtuar, do bëhet s’do bëhet, por momentalisht nuk ka asgjë.”- thotë një tjetër.

Nga NQP thonë se për këtë vendos këshilli i qytetit të Shkupit, por shtojnë se për nxënësit kanë lidhur marrëveshje me një transportues nga Radusha.

“Sipas Vendimit për linja transporti të udhëtarëve, për vendosjen e linjave të reja, zgjerimin, shkurtimin dhe anulimin e linjave ekzistuese të autobusëve, vendosë Këshilli i Qytetit të Shkupit në bazë të hulumtimeve dhe analizave të mëparshme.

Ndryshe, ka transport të organizuar për nxënësit e arsimit të mesëm të obligueshëm, gjegjësisht kemi lidhur marrëveshje me një transportues nga Radusha për transportin e kategorisë së treguar.”- bëjnë të ditur nga NQP-ja. Por qytetarët thonë se bileta e minibusit është e shtrenjtë.

“Udhëtojmë me minibus, me vetura, të shtetit nuk ka.
P: Si ia dilni me të hollat, a kushton shumë deri në qytet? –
Si nuk kushton 100 den një rrugë, 200 den kthyese. Kemi kërkuar nga disa vende por nuk ka gjë, do bëhet do bëhet dhe asgjë.”- thotë një qytetar.

Mediat pyetën i kryetarin e komunës se a ka kërkuar nga Qyteti i Shkupit që të rregullohet kjo çështje? Ai thotë se ofertat të cilat ja kanë ofruar deri më sot nuk kanë qenë të pëlqyeshme nga ana jonë.

“Komuna e Sarajit, Këshilli komunal i Sarajit ka bërë kërkesa në kontinuitet, dhe zgjidhjet që i kanë ofruar nuk kanë qenë të pranueshme, për së fundi herë ende nuk kemi përgjigje përfundimtare.Meqenëse është larg nga qyteti, do t’i ofrojnë me minibusa deri në Sfillare dhe pastaj të jetë në bartjen për pjesën e qytetit.”- deklaroi Blerim Bexheti Kryetar Ii Komunës së Sarajit. Ndryshe Radusha gjendet 26 km larg nga qyteti i Shkupit.