Radikali serb Sheshel: Biden është armik i dëshmuar e do të bëjë gjithçka për të shkatërruar serbët

Vojislav Seselj radikal serb përsëriti qëndrimet e tij se administrata e Biden është armiqësore ndaj Serbisë. Madje ai kishte këshilluar presidentin serb Vucic më parë që të mos shkoj në takime me ta pasi ka rrezik që e helmojnë amerikanët.
Seselj me ngazëllim e përshkroi partinë e Biden në Amerikë si shkatërrimtarë të demokracisë pasi vodhën zgjedhjet atje sipas tij.

Ai shtoi se demokracia amerikane përparoi, pastaj erdhi një periudhë dekadence, që tani të rrënohet tërësisht. Madje citoi edhe Shekspirin.

Seselj ekscentriku parashikoi në televizionin serb Tv Prva se tani sa më shumë do të dalin në sipërfaqe problemet në Amerikë, e kjo “do të reflektoj tek ne nëse frustrimet e tyre të brendshme do t’i shfaqte në rrafshin ndërkombëtar.” Ai vazhdoi me shpjegimin e këtij ‘komploti’ duke e vlerësuar si rrezik real këtë pasi “Biden është armik i vjetër e i vërtetuar i Serbisë, ai do të bëjë gjithçka për të shkatërruar serbët dhe interesat e tyre” tha Seselj.
Ai lëshoi edhe një varg akuzash tjera për politikanë e klerin e Kishës Ortodokse Serbe si Vladika Grigorije pasi ky doli kundër pushtetit të Vucic.