Radhë të gjata para furrave në Gaza: “Nuk kemi miell për nesër”

Problemet për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike dhe ujit po shtohen në Gaza, ku sulmet izraelite vazhdojnë ditë e natë, raporton Anadolu.

Palestinezët kanë krijuar radhë të gjata para furrave për të blerë bukë.

“Kemi vështirësi në furnizimin me miell. Miell kemi mjaftueshëm për sot, por për më vonë e di vetëm Allahu. Nuk kemi miell për bukë për nesër”, thotë bukëpjekësi Enes Beshir.

Pak ditë më parë, furnizimi me energji elektrike i zonës prej më shumë se dy milionë banorësh u ndërpre plotësisht, pasi i vetmi termocentral në Gaza pushoi së punuari për shkak të mungesës së karburantit.

Fundjavën e kaluar, në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën sulme intensive ushtarake kundër Rripit të Gazës, në përgjigje ndaj një ofensive ushtarake nga grupi palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi më 7 tetor, kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime, duke përfshirë një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigjja e Izraelite është shtrirë deri në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nën një rrethim paralizues që nga viti 2007.