Qyteti i Shkupit i “mbytur” në borxhe!

Qyteti është në borxhe, por do të ketë projekte për të gjitha komunat në Shkup, siguron Danella Arsovska. Ajo në një konferencë për media tha se nga 1 janari do të realizohen projektet, për të cilat ka marrëveshje të nënshkruara nga menaxhmenti i mëparshëm. Sot në Këshillin e Qytetit nisi debati për propozim buxhetin për vitin 2022, i cili peshon 102 milionë euro. Para do të ketë edhe për ndotjen e ajrit.

Kemi mundësi si kryesi e qytetit, por edhe ju si Këshill komune të veproni për të miratuar një sërë masash plotësuese që do të jenë në drejtim për të ndihmuar në periudhën e ardhshme. Të zgjidhet vërtet problemi i ndotjes së ajrit”- deklaroi Danella Arsovska, kryetare e Shkupit.

Vitin e ardhshëm është paralajmëruar projekt për transport falas, por ai do të jetë i vlefshëm në ditë të caktuara dhe për kategori të caktuar të qytetarëve. Rreth 390 mijë euro do të ndahen nga buxheti i qytetit për subvencione për blerjen e inverterëve dhe rreth 240 mijë euro do të përdoren për të subvencionuar blerjen e transportit ekologjik , siç janë skuterë elektrikë dhe biçikleta. Nuk dihet nëse kushtet e aplikimit do të jenë të njëjta si më parë.

“Nuk i di shumat individuale si është për një amvisëri dhe këtë e rregullon Qyteti i Shkupit. Por, shuma e përgjithshme është rritur”- pohoi Stefan Andonovski këshilltar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë këshilltarja e VMRO-DPMNE-së, Marija Andonova kërkoi të anulohet vendimi për kthimin e emrave të vjetër të rrugëve. Kjo do të thotë që këshilltarët përsëri do të diskutojnë nëse do të ndryshohen emrat e rrugëve si “Leninova”, “Vodnjanska”, “Meksiçka” dhe disa rrugë të tjera që i miratoi administrata e kaluar e Qytetit.