Qyteti i alfabetit, pa shkollë të mesme në gjuhën shqipe

Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në Manastir, në qytetin ku para 112 viteve u unifikua Alfabeti i Gjuhës Shqipe, nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme nuk mund ta gëzojnë të drejtën e mësimit në gjuhën e tyre amtare. Në shkollat e mesme në Manastir nuk ka asnjë paralele me mësim në gjuhën shqipe. Nxënësit shqiptarë të këtij rajoni detyrohen të arsimohen në gjuhën maqedonase. Këtë e dëshmon Besjona Jusufi, tashmë maturante në gjimnazin “Josip Boz Tito” në Manastir.

https://www.youtube.com/watch?v=91Rb4JKPMpA&feature=emb_title

Pas shkollimit fillor drejtohemi kah dyert e shkollave te mesme dhe gjimnazeve ku mbahet mësim vetëm në gjuhën maqedonase, kjo është për ne sfidë shumë e madhe. Mundohemi të jemi të barabartë me të tjerët në një rrethinë krejtësisht të pazakontë dhe të re. Sidomos, viti i parë është një vit shumë i ndërlikuar dhe i mbushur me pengesa. Unë jam e vetme në klasë, e vetmja nxënëse shqiptare madje edhe në gjeneratë. Në asnjë shkollë të mesme në Manastir nuk ka paralele shqipe. Më vjen aq shumë keq që nuk e kam edhe gjuhën shqipe si lëndë mësimore në shkollimin tim”-tha Besjona Jusufi, nxënëse e gjimnazit “Josip Broz Tito” në Manastir.

Përballë sfidave të ndryshme, Besjona jep çdo gjë nga vetja për të ruajtur dhe kultivuar gjuhën shqipe. Tashmë ka shkruar dhjetëra prozë e poezi me tema të ndryshme.
Shoh të bëj maksimumin tim për të ruajtur gjuhën shqipe dhe për të mos e harruar kurrë. Kam plane të mëtutjeshme për albanologjinë dhe shpresoj të më përmbushet kjo dëshirë. Gjithashtu kam lexuar edhe shumë vepra në shqip. Të preferuarat e mia kanë qenë të Ismail Kadaresë dhe të shumë shkrimtarëve të tjerë shqiptarë dhe rilindësve shqiptarë. Gjithashtu, lexoj edhe poezi bashkëkohore shqiptare te cilat më nxisin që akoma më shumë të vazhdoj të shkruaj”-tha Besjona Jusufi, nxënëse e gjimnazit “Josip Broz Tito” në Manastir.

Fatin e Besjonës e përjetojnë edhe shumë nxënës të tjerë. Në mungesë të arsimit shqip në vendbanimet e tyre detyrohen të mësojnë në gjuhën maqedonase ose të shpërngulen në qytete të tjera për të mësuar shqip. Kongresi i Manastirit, ose Kongresi i Alfabetit u mbajt në qytetin e Manastirit, mes 14 dhe 22 nëntorit të vitit 1908, ku u bë njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe, ashtu si e përdorim sot.