Qytetarët vërshojnë marketet në Tetovë e Gostivar

Në Tetovë dhe Gostivar gjatë ditës qytetarët kanë “vërshuar” marketet dhe bankat para nisjes së orës policore, e cila do të zgjasë deri mëngjesin e së hënës.

“Po u furnizova por vetëm për dy ditë patjetër. Pak rëndë do ta kemi por e kemi për të mirën tonë dhe të popullatës”.

Dyndjet e mëdha të banorëve nuk munguan as para bankave.

“Ja shihni vet si është situata, presim me orë të tëra, dhe nuk mund të kryejmë punë, kot është. Si të mbarojmë punë kur bankomati që është primare s`ka të holla. Në fakt kjo tregon se s’mund ti marrim të hollat të blej, vetëm kot nervozohemi rrimë këtu”.

“Ato që na duhen duhet të furnizohemi por sa do ja arrimë se di”.

Situatë e ngjashme ishte edhe në Gostivar. Shumë qytetarë e shfrytëzuan ditën me diell për të shëtitur përreth lumit.

Por edhe përkundër pamjeve të filmuara, kreu i Gostivarit Arben Taravari tha se qytetarët i përmbahen rekomandimeve.

Në Gostivar unë mendoj se gjendja është relativisht e mirë nga ana e qytetarëve që i respektojnë rekomandimet. Tani ka përjashtime natyrisht nëpër banka ku pleqtë duken shkaku i kufizimit të orarit kur mund të dalin dhe rrinë afër që është rrezik për to, por ne si shtab emergjence lokale kemi bë rekomandime që gjitha bankat të marrin masa dhe ta mbajnë distancën – deklaroi Arben Taravari. Kryetar i Komunës së Gostivarit.

Në 24 orët e fundit në Tetovë dhe Gostivar janë shënuar nga 3 raste të reja, prej të cilëve 2 janë pjesë e stafit mjekësor.